Klubi i Vllaznisë siguron mbështetjen e duhur financiare për pjesën e mbetur të sezonit. Këshilli Bashkiak i Shkodrës, në mbledhjen e kësaj të mërkure ka miratuar buxhetin e vitit 2015, ku shuma prej 23 milionë lekësh të rinj shkon për buxhetin e Vllaznisë për periudhën janar – qershor. Kjo shifër është e mjaftueshme për të përballuar pagat e futbollistëve dhe stafit teknik, që tashmë nuk duhet ta vrasin më mendjen për anën financiare. Madje janë përshpejtuar procedurat që ky fond të kalojë i gjithi brenda një periudhë sa më të shkurtër, duke shmangur kështu burokracitë, që mund të sillnin vonesa të panevojshme. Një lajm shumë i mirë ky për të gjithë pjesëtarët e kampit kuqeblu, që mund të fokusohen vetëm te rezultatet në fushën e blertë, pasi anën financiare e kanë të garantuar. Fundjavën e kaluar formacioni i Baldo Rainerit fitoi 2-0 me Apoloninë, duke i forcuar edhe më shumë pozitat në tabelën e renditjes, ndërsa në kuadër të javës së 24-t të Kategorisë Superiore, shkodranët do të presin në “Loro Boriçi” Elbasanin, takim ku vetëm fitorja mund t’i kënaqë kuqeblutë.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: