Melos Bajrami do të jetë mungesa e sigurt e Vllaznisë në ndeshjen e radhës në kampionat kundër Dinamos. Mbrojtësi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 24-ët në përballjen e fundit me Bylisin, ku shkodranët u mposhtën me rezultatin 1-0 dhe kësisoj, ish-futbollisti i Gjilanit nuk do të jetë i gatshëm për 9 herë kampionët e vendit këtë fundjavë.
Por nëse mungon një titullar i prapavijës, një tjetër pritet të kthehet. Fjala është për Milos Stojanoviç, serbin i cili mungoi në ndeshjen e fundit. Kjo për shkak të një lëndimi fizik që e la jashtë fushave edhe para dy javësh.
Megjithatë shtatlarti pritet të jetë i gatshëm për Brdariç gjatë kësaj jave dhe mund të hidhet në fushë për përballjen me Dinamon. Po ashtu, edhe Mensah që mungon prej dy ndeshjesh radhazi pritet të rikthehet me ekipin.
Edhe ganezi ka pasur një tërheqje muskulore, por që nuk është në një shkallë të lartë, me ish-sulmuesin e Skënderbeut që pritet të jetë sërish pjesë e grupit kuqeblu gjatë këtyre ditëve.