Pas reshjeve të dendura të shiut të djeshëm, situata në qytetin e Vlorës vazhdon të jetë tejet problematike, raporton gazetari i News24, Enrik Mehmeti.

Raportohet se shumë automjete janë bllokuar dhe dëmtuar nga uji, ndërsa shtëpi, dyqane dhe biznese të shumta kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Banorët kanë qenë të detyruar të nxjerrin mallrat e tyre në ambientet e jashtme për t’u mbrojtur nga uji. 33 familje mësohet se kanë braktisur shtëpitë e tyre të “pushtuara” tanimë nga vërshimi i ujit.

Garazhet në qytet janë përmbytur, duke shkaktuar dëme në qindra makina. Në përpjekje për të lehtësuar situatën, po ndërmerren masa të shpejta për largimin e ujit nga shtëpitë e prekura. Dhjetëra efektivë të FA po punojnë në terren prej pasdites së djeshme.

Sakaq, 55 banorë mëson BalkanWeb kanë pësuar dëme në banesat e tyre për shkak të reshjeve dhe janë evakuuar dhe strehuar në konviktet e qytetit të Vlorës.

Pas stabilizimit të situatës, autoritetet do të shqyrtojnë mundësitë e dëmshpërblimit për ata që janë prekur nga këto ngjarje, përmes fondit të emergjencave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb