VLORE –Persona të maskuar dhe të armatosur kanë terrorizuar një familje në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në banesën e shtetasit Dule Begaj në qytetin bregdetar.

Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se dy persona të armatosur, duke u prezantuar si punonjës të policisë, janë futur në banesë dhe nën kërcënimin e armëve i kanë kërkuar kryefamiljarit paratë që kishte në shtëpi.

Familjarët kanë bërë rezistencë dhe janë dhunuar nga grabitësit, të cilët i kanë qëlluar me qytat e armëve, por nuk kanë arritur të marrin asgjë nga banesa. Vajza e familjes, e cila u përball me maskat, tregon ngjarjen për “Neës24”.

“Në orën 04:00 ndjeva derën që u hap ngadalë, u ngrita nga krevati dhe erdha në korridor dhe pashë një njeri të maskuar me automatik, që ma drejtoi në fytyrë dhe më tha “Policia”. U shtanga se isha nëpër gjumë, u tërhoqa për ta parë mirë, u afrua dhe ai drejt meje. E pashë që ishte i maskuar, e shava dhe iu hodha në kokë për t’i hequr maskën. Provova t’ja hiqja por dikush nga ata më kapi dorën dhe më shtyu fort. nuk mbaj mend asgjë, rashë pa ndjenja. Më kanë goditur 4-5 herë në mur.”- rrëfen vajza.

Familja Begaj ka lajmëruar menjëherë forcat e policisë, të cilat mbërritën në vendin e ngjarjes. Momentalisht policia ka shoqëruar 6 persona, të cilët dyshohet se janë përfshirë në ngjarje. Sipas policisë, dy grabitësit që u futën në banesë kanë patur bashkëpunëtorë të tjerë, që i prisnin jashtë banesës dhe i kanë ndihmuar të largohen.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: