VLORE- Policia e Vlorës ka arrestuar 6 persona të përfshirë në ngjarjen e së mërkurës mbrëma ku mbetën të plagosur 5 vetë. Burime zyrtare bëjnë me dije se janë prangosur Gjergji Brucaj, Sotiraq Qirjo, vëllezërit Edison e Llalli Bombaj, Dorian Mema dhe Igli Jaupaj.

Ndaj Brucaj dhe Qirjos rëndon akuza për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. Ndërkohë që Dorian Mema, Igli Jaupaj u arrestuan për dhunën ndaj Gjergji Brucaj dhe vëllezërit Bombaj u arrestuan për armëmbajtje pa leje. Në banesën e këtyre të fundit u gjet një armë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, ku Gjergji Bucaj, 50 vjeç ka hyrë i armatosur me kallashnikov në një lokal (bilardo) dhe ka plagosur me breshëri plumbash dy djemtë e familjes Bombaj si dhe dy persona të tjerë. Shkak është bërë dyshimi se ish-bashkëshortja e kishte tradhtuar, ndërkohë që edhe vetë Bucaj ka mbetur i plagosur rëndë.

NGJARJA
Mbrëmë, rreth orës 18:53, Gjergji Bucaj ka shkuar i armatosur me kallashnikov në
bilardon në pronësi të shtetasit G.Z., ku ndodheshin 43-vjeçari Edison Stavri Bombaj; 40-vjeçari Llambi Stavri Bombaj; 21- vjeçari Dorjan Mema dhe bashkëmoshatari i këtij të fundit, Igli Jaupaj. Sapo ka hyrë në lokal, 50-vjeçari Bucaj ka qëlluar në drejtim të personave të mësipërm. Në këtë moment njëri prej tyre (dyshohet për Igli Jaupajn) i ka kapur dhe hequr nga dora kallashnikovin Gjergji Bucajt dhe së bashku me të tjerët e kanë goditur atë me qytën e armës, steka bilardo dhe karrige, duke e plagosur rëndë. Si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit kanë mbetur të plagosur vëllezërit Edison dhe Llambi Bombaj si dhe Dorjan Mema. Krismat e armës kanë alarmuar banorët e Selenicës, të cilët kanë sinjalizuar policinë. Katër të plagosurit janë dërguar urgjentisht në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku iu është dhënë ndihma e parë mjekësore. Sipas mjekëve të këtij spitali, vëllezërit Bombaj si dhe Mema janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Gjergji Bucaj ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
HETIMI
Pas ngjarjes, policia e Vlorës ka kryer kontrolle në banesat e personave që janë përfshirë në këtë ngjarje. Mësohet se në banesën e familjes Bombaj është gjetur dhe sekuestruar një automatik model 54. Në lidhje me këtë ngjarje është shoqëruar dhe marrë në pyetje Stavri Bombaj, babai i të plagosurve Edison e Llambi Bombaj. Gjithashtu, është shoqëruar dhe marrë në pyetje dhe 53-vjeçari Sokrat Qirjo, pasi dyshohet të ketë qenë bashkëpunëtor i Gjergji Bucajt. Pas kryerjes së hetimeve, ka rezultuar se ngjarja ka marrë shkas për motive banale. Sipas bluve, Bucaj ishte divorcuar dy vjet më parë nga bashkëshortja e tij. Ndërkohë (po sipas Policisë), Qirjo i ka thënë Gjergji Bucajt, se ish-gruaja e tij kishte lidhje sentimentale me njërin nga vëllezërit Bombaj. Kaq ka mjaftuar që 50-vjeçari të merrte kallashnikovin dhe të qëllonte ndaj tyre.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb