VLORË- Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Streha e Fundit”, duke vënë në pranga dy persona, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, një prej tyre i arratisur nga burgjet greke bashkë me Ilir Kupën. Sipas burimeve zyrtare janë vënë në pranga:
1. Klement Çala, 27-vjeç, banues në Elbasan
2. Alkond Bengasi, 29-vjeç, banues në Elbasan

Policia e Vlorës, pas informacioneve të marra në rrugë operative prej afro 1-jave, dyshonte se në një apartament në lagjen “24 maji”, fshiheshin dy shtetas të shpallur në kërkim.
Menjëherë pasi konkretizuan informacionin, u krye ndërhyrja operacionale ku u bë e mundur arrestimi i shtetasve të mësipërm.

Nëpër rrugicat e lagjes “24 maji” u kap nga efektivat e policisë personi i parë i shpallur në kërkim, Klement Çala, duke lëvizur me automjetin e tij tip “Benz” me targë AA447KO.
Policia sqaron se në momentin e kapjes Çala braktisi mjetin dhe tentoi të largohej me vrap, por u neutralizua nga efektivët e policisë, të cilët kishin rrethuar vendin ku u bë ndërhyrja. Ne momentin e kapjes ky shtetas iu prezantua Policisë si shtetas kosovar me identitetin Semir Koca, i cili dispononte një Pasaportë dhe një ID, me të njëjtin emër që i përkasin Republikës së Kosovës.

Por pas verifikimeve, ka rezultuar se ai ishte Klement Pëllumb Çala, 27-vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Sipas të dhënave të konfirmuara shtetasi Klement Çala u arratis nga Burgu i “Trikalas” në Greqi, së bashku me Ilir Kupën dhe disa persona të tjerë në 2013-ën.
Autoritetet Greke e kanë shpallur në kërkim pasi e akuzojnë (në mungesë) për këto vepra penale:
1. Pjesëmarrje në Organizatë Kriminale me qëllim përfitime financiare me përdorimin dhe mbajtjen materialeve shpërthyese dhe armëve;
2. Grabitje me armë në bashkëpunim;
3. Vjedhja e objekteve të vlerave të larta nga institucionet financiare;
4. Vjedhje/Grabitje në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur,
5. Tentativë vrasje në kuadër të konkurrencës kriminale në bashkëpunim;
6. Mbajtje e materialeve shpërthyese (bomba) në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur;
7. Shkaktimi i shpërthimeve duke përdorur materiale shpërthyese, në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur;
8. Mbajtje dhe përdorimi i lëndëve eksplozive.

Nëse akuzat e ngritura nga shteti grek vërtetohen nga autoritetet greke, ky shtetas rrezikon dënimin maksimal të mundshëm “Burgim të Përjetshëm” për veprat e mësipërme.
Ndërsa Alkond Bengasi, personi i dytë i arrestuar i cili fshihej në banesën e marrë me qira nga Klement Çala, ishte shpallur në kërkim nga DPQ Elbasan më 8 gusht të vitit të kaluar dhe është dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në përfundim të operacionit, u sekuestruan:
Një armë zjarri, tip “Pistoletë TT, me dy krehra me fishek;
Një pasaportë dhe një kartë identiteti të falsifikuara me identitet të Republikës së Kosovës;
Një sasi lënde narkotike të llojit “Canabis-sattiva” 1.2 gram;
Një automjet tip “Benz” me targë AA447KO.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: