VLORË- Drejtoresha e përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore Vjollca Braho deklaroi sot se në qytetin e Vlorës është bërë një punë e jashtëzakonshme për të shmangur punën e zezë dhe për të përfshirë brenda skemës së kontributeve shumë qytetarë të tjerë. Braho ka marrë pjesë sot në analizën vjetore të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Vlorë, nga ku pohoi se Plani i të ardhurave u realizua në masën 262 për qind dhe gjithashtu është punuar për afrimin e kontribuuesve të rinj.

“Është bërë një punë e shkëlqyer gjatë vitit 2014. Plani i të ardhurave u realizua në masën 262 për qind me një tejkalim plani në masën 540.83 mijë lekë. Është punuar shumë në afrimin e kontribuuesve të rinj në skemën e sigurimeve shoqërore, ku për vitin e kaluar ky numër pati rritje të konsiderueshme. Përsa i përket shërbimit ndaj qytetarit në raport me dhënien e përfitimeve, falë punës së mirë është bërë e mundur lidhja e pensioneve brenda 14 ditësh, ndërkohë që afati mesatar është 45 ditë”, ka thënë drejtoresha e ISSH-së.

Të njëjtën gjë ka konfirmuar edhe drejtori i DRSSH-së, Vlorë Edmond Leka. “Ka shumë punë për të bërë ende në terren. Megjithatë, kemi gjetur gatishmërinë edhe të biznesit, për të realizuar këto shifra dhe ndërgjegjësim më i madh edhe nga vetë punonjësit për përfitimet nga gjithë ky proces” ,vërejti Leka gjatë analizës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: