VLORË – Digjen dy automjete të biznesmenit Viron Çuni, i cili merret me pastrimin e anijeve: një autobot dhe një furgon.

Gazetari Enrik Mehmeti njoftoi se automjeteve të firmës “Delfini 1”, iu janë thyer xhamat dhe para se t’iu vihej zjarri, janë spërkatur me benzinë. Autoboti me targa 11 281CR shërbente për furnizimin me ujë të pijshëm të anijeve, ndërsa furgoni me targa VL2150C, shërbente për mbledhjen e mbeturinave të ngurta.

Autorët nuk dihen ende dhe policia ka nisur hetimet për të zbuluar autorët dhe shkaqet e zjarrvënies. Paraprakisht dyshohet se zjarrvënia ka të bëjë me konkurencën.

Vetë Çuni, në një prononcim për “News 24″ tha se sapo kanë parë zjarrin, kanë njoftuar policinë dhe zjarrfikësit. “Dëgjuam një zhurmë, – tha ai, – dhe sa dolëm jashtë, pamë që autoboti dhe furgoni kishin marrë flakë që të dy. Njoftuam policinë dhe zjarrfikësit, që erdhën për 10 minuta. Autoboti shërbente për furnizimin me ujë të pijshëm të anijeve, ndërsa furgoni për heqjen e mbeturinave të ngurta. Pas kësaj, në Policinë e Vlorës u bënë procedurat dhe u mbaj procesverbali.”

Sipas gazetarit Mehmeti, biznesmeni Çuni tha se nuk ka konflikte me ndokënd.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: