VLORË- 27-vjeçari Ervis Lulushi ka pranuar autorësinë e vrasjes së dyfishtë, të ndodhur një ditë më parë në afërsi të Akademisë së Marinës, në Vlorë. Lulushi, i arrestuar dje pak pas krimit, ka pranuar në polici se është ai autori i vrasjes së vajzës 21-vjeçare Paola Bishaj dhe kushëririt të saj Parid Velaj.

Gjatë dëshmisë në polici, autori ka rrëfyer se kishte qenë i lidhur me vajzën dhe kishte shkuar në lokal për të sqaruar diçka me të, por nuk ka thënë pse kishte shkuar atje i armatosur. “Shkova për t’u sqaruar, por më pas nuk mbaj mend më se çfarë kam bërë”- ka thënë ai.

Ervis Lulushi qëlloi mesditën e djeshme për vdekje 21-vjeçaren Paola Bishajn, e sapokthyer për pushime nga Gjermania, ku ndiqte studimet e larta, dhe kushëririn e saj Parid Velaj, si dhe ka plagosur të afërmin tjetër Gerti Ahmeta.

NGJARJA NE VLORE

Një ngjarje të rëndë, ndodhi dje, në ditën e dytë të vitit 2015. Dy persona u ekzekutuan me armë zjarri në qytetin e Vlorës, ndërsa një tjetër është plagosur, në zonën e Ujit të Ftohtë, pranë Shkollës së Marinës, në mjediset e një lokali. Viktimat janë 28-vjeçari Parid Veliaj dhe 21-vjeçarja Paola Bishaj, të afërm mes tyre, ndërsa i plagosur ka mbetur Gerti Arapi. Sipas hetimit të policisë, dje rreth orës 13:20 shtetasi Ervis Lulushi së bashku me shokun e tij Henrik Merkaj kanë qenë duke lëvizur me automjetin tip Lancia Y, AA307HF, përgjatë rrugës në lagjen Uji i Ftohtë, ku kanë parë një person të njohur prej tij në lokalin Grand Gelato. Autori i dyshuar ka zbritur nga automjeti dhe i është afruar lokalit ku ndodhej shtetasja Paola Bishaj, e cila ka qenë nën shoqërinë e së motrës, të bashkëshortëve Parid Veliaj dhe Luljeta Veliaj, vajzes se tyre 4-vjeçare, dhe shtetasit Gerti Arapi. Ervis Lulushi ka kërkuar të takojë Paolan, me të cilën kishte patur një lidhje dashurore rreth një vit më parë, lidhje që vajza e kishte ndërprerë. Pasi nuk është lejuar të takojë 21-vjeçaren, nga kushëriri i saj, Ervis Lulushi ka nxjerrë armën e zjarrit tip pistoletë model 54 dhe ka qëlluar fillimisht në drejtim të saj, më pas në drejtim të shtetasit Parid Veliaj si dhe ka qëlluar në kokë me qytën e armës shtetasin Gerti Arapi. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë mbetur viktima shtetasit: Paola Bishaj, vjeç 21, banuese në Vlorë, Parid Veliaj, vjec 28, banues në Vlorë, si dhe është dëmtuar lehtë shtetasi Gerti Arapi, vjec 28, banues në fshatin, Osmëzez, Berat. Menjëherë pas krimit autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes dhe nën kërcënimin e armës ka hyrë në automjetin tip Wolksëagen Golf AA 545 GS, i cili drejtohej nga shtetasi Daniel Mehmeti, banues në Vlorë, i cili ndodhej rastësisht në afërsi të vendit të ngjarjes. Lidhur me ngjarjen policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Ervis Lulushi, vjec 27, banues në Vlorë për veprat penale  “Vrasje në rrethana të cilësuara”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, si dhe 26 vjecarin Henrik Ylli Merkaj, për “Moskallëzim krimi”. Mësohet se 27-vjeçari Lulushi ka pranuar autorësinë e krimit.

(foto, viktimat Paola Bishaj, Parid Veliaj dhe autori Ervis Lulushi)

(er.nu/mi.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: