VLORE – Pothuajse 9 vjet më parë, në fund të gushtit të vitit 2006, gjatë një vizite në Vlorë dhe më pas në Himarë, aktori me famë botërore, Bekim Fehmiu, vizitoi edhe shpellën ku, sipas mitologjisë, është ndeshur Odiseu me Ciklopin. Shpella që ndodhet pranë lagjes së Spilesë në qytetin e Himarës, njihet nga vendasit dhe më gjerë me të njëjtin emër: “Shpella e Spilesë”.

Historiani vlonjat, prof.dr.Bardhosh Gaçe, që e priti dhe shoqëroi aktorin e njohur në atë vizitë të paharruar, tregon për ATSH, detaje rreth saj. “Fehmiu e kishte patur ëndërr të vizitonte shpellën ku, sipas mitologjisë, ishte ndeshur Odiseu me Ciklopin, në atë skenë që është fiksuar tek filmi “Uliksi”, ku protagonisti i tij, interpretohej nga Fehmiu. Teksa shkonim tek vendi ku ndodhet shpella, Fehmiu kujtonte momentet kur interpretonte rolin e tij të famshëm. Mjediset e kësaj shpelle nxitën tek ai kujtime të një kohe të largët që lidheshin me filmin. Kjo shpellë, sipas tij, duhej të ishte skena e vërtetë ku duhej të luhej ai moment i përballjes me Ciklopin”, tregon Gaçe, ato çaste të paharruara që shoqëroi aktorin e njohur shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiu.

Shpella-e-Spillese-Vlore-2-Foto-H

Shpella-e-Spillese-Vlore-1-Foto-H

Shpella e Spillesë, Vlorë

Sipas Gaçes, në mjediset e shpellës ata qëndruan rreth 30 minuta, ndërkohë që aktori shprehu keqardhjen që atëhere, diku në hyrje të saj, ishte ndërtuar një lokal. “Ky është një monument i rëndësishëm që duhet të ruhet dhe të promovohet, sepse sjell momente të njohura të historisë së mitologjisë”, kujton Gaçe thënien e Bekim Fehmiut, në atë vizitë në Shpellën e Spilesë, ku mendohet të jetë zhvilluar skena e përballjes së Odiseut me Ciklopin. Historiani vlonjat thotë se, Fehmiu, që vinte për herë të parë në Vlorë, kishte mbetur i mahnitur nga gjithcka që pa. Ai, sipas Gaçes, kishte treguar se, për të interpretuar “Uliksin”, kishte lexuar shumë nga historia e mitologjisë greke. “Kishte lexuar mjaft libra të autorëve grekë dhe kishte adhurim për mitologjinë. Madje, shprehu keqardhjen që ai origjinalitet i krijimtarisë së dikurshme të mitologjisë, trajtohej ndryshe nga autorët aktualë.

Shpella-e-Spillese-Vlore-3-Foto-H

Shpella e Spillesë, Vlorë

Përmes leximeve të shumta, Fehmiu kishte hyrë në brendësi të rolit dhe siç tregonte, e përjetonte atë me të gjithë forcën e shpirtit. Prandaj dhe donte të kishte një kujtim nga vendi real historik, ku ishte zhvilluar skena e Odiseut me Ciklopin. Bëmë fotografi dhe ai e mori atë me vete si një gjë të shtrenjtë. Madje, kur vizituam edhe plazhe dhe vende të tjera përgjatë bregdetit të Himarës, si në Jalë, Fehmiu tha se, këto janë vende të mrekullueshme ku mund të luhen mjaft filma. Ja tek janë vendet ku “Hollyvoodi” mund të zgjedhë për filmat e vet”, tregon historiani vlonjat. Ai shprehet se, Fehmiu kishte lexuar edhe mjaft për historinë e pellazgëve dhe të ilirëve dhe ishte mjaft i orientuar në këtë drejtim. “Ishte i ndjeshëm për rolin e Skënderbeut, duke u shprehur se, aktori rus që e kishte interpretuar atë, kishte forcën, por jo plastikën e nevojshme për rolin e Skënderbeut, tek filmi me të njëjtin emër”, vijon tregimin e vet Gaçe.

Ai kujton se, në atë periudhë, aktori i njohur erdhi nga Italia, ku ishte angazhuar me disa bashkëpunime për filma serialë, ndërkohë që, kishte shprehur dëshirën për të bashkëpunuar me aktorët shqiptarë, por në një moment të mëvonshëm. “Fehmiu në ato ditë do të festonte edhe 70 vjetorin e lindjes dhe kishte sjellë me vete një shishe verë “Peja”, të cilën e konsumuam së bashku”, sjell në kujtesë Gaçe.

Sipas tij, Shpella e Spilesë është monument i kulturës natyrore dhe ajo duhet të vlerësohet si e tillë. “Aq më tepër që, tashmë kemi edhe një element tjetër, atë të vizitës në të, të Bekim Fehmiut, i cili do të mbetet në memorien e shqiptarëve dhe më gjerë, mes të tjerash edhe për rolin e Uliksit në filmin me të njëjtin emër”, thotë historiani Bardhosh Gaçe.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: