Nga ENRIK MEHMETI*

VLORE – Maskat kanë terrorizuar një familje në Vlorë, ndërsa kanë plagosur me armë zjarri dy vëllezër. Agresorët kanë hyrë brenda ndërtesës dykatëshe në pronësi të familjes Torraj për të grabitur kur janë pikasur nga të zotët e shtëpisë. Pasi kanë lidhur dy pleqtë, ata janë përleshur me dy djemtë e kësaj familjeje. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku, bënë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Llakatund. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, blutë kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje 11 persona, ndërsa po hetohet intensivisht për identifikimin dhe vënien në pranga të katër autorëve të krimit.

NGJARJA
Pak pasi kishte kaluar mesnata, katër persona të maskuar dhe të armatosur i janë afruar shtëpisë së familjes Torraj. Dy prej tyre kanë qëndruar jashtë, ndërsa
dy të tjerët kanë hyrë brenda në banesë. Sipas bluve, në katin e parë të shtëpisë, dy grabitësit janë pikasur nga dy pleqtë. Pasi u janë prezantuar si punonjës policie, maskat i kanë lidhur me litar dhe iu kanë zënë gojën për të mos bërë zhurmë. Më pas ata janë ngjitur në katin e dytë për të realizuar grabitjen e planifikuar.

Por, plani i agresorëve ka dështuar, pasi ata janë pikasur nga njëri prej djemve të familjes Torraj. Në momentin që grabitësit janë diktuar, kanë bërtitur duke u thënë se: “Jemi policia dhe të mos lëvizë asnjë person, në të kundërt do t’ju vrasim”. Por, dy djemtë e familjes, Dane dhe Resmi Torraj kanë kuptuar menjëherë se kishin të bënin me grabitës, ndaj menjëherë kanë reaguar. Në përleshje e sipër, maskat i kanë qëlluar vëllezërit me pistoletë, duke i lënë të plagosur, njërin në këmbë dhe tjetrin në bark. Më pas autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa të plagosurit kanë njoftuar policinë dhe të afërmit e tyre. Blutë kanë mbërritur shpejt në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet, ndërsa dy vëllezërit e plagosur janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku iu është dhënë ndihma e parë mjekësore. I plagosuri Resmi Torraj, dje deklaroi se janë terrorizuar familjarisht.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai tregoi me detaje momentet e tmerrit dhe të përleshjes me grabitësit.

Zoti Torraj, mund të na thoni si ndodhi ngjarja?
Gjithçka ka ndodhur në prani të fëmijëve, pasi ata u zgjuan nga zhurma. Ne si familje ishim të gjithë në gjumë. Si fillim, grabitësit thanë: “Ndal, jemi policia. Mos luani, se do ju qëllojmë”. Ata ishin të gjithë të armatosur. U përlesha me njërin prej tyre. Gjatë përleshjes, ai erdhi afër meje. Mbante thikë në dorë. Ndërkohë, më qëlloi tjetri me pistoletë. Pasi dëgjoi zhurmën, vëllai im doli nga dhoma tjetër. Fatkeqësisht e qëlluan dhe atë.

Çfarë ndodhi më pas?
Pas sulmit, agresorët u larguan nga banesa jonë. Ata ishin të maskuar. Nuk e dimë se kush mund të ketë qenë, pasi ne nuk kemi konflikt me askënd. Kemi jetuar në emigrim.

Kur jeni kthyer nga emigrimi?
Unë jam kthyer nga emigrimi para dy vitesh. Kam jetuar për shumë kohë në Greqi me familjen time. Ndërsa, vëllai im është kthyer para një muaji nga Greqia.

Keni ndonjë dyshim se kush mund të jenë autorët e krimit?
Nuk i njohëm, madje as nga zëri. Nuk e dimë se kush mund të fshihet pas kësaj ngjarjeje.

Maskat, grabitën ndonjë gjë në banesën tuaj?
Pasi na plagosën, agresorët ikën. Nuk arritën të vidhnin asgjë.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: