VLORË- Një vetëplagosje aksidentale në Vlorë, ka bërë që policia të zbulojë një plan për një ngjarje kriminale, duke bërë që ai të dështonte.

Dy kushërinj janë vënë në pranga nga blutë e Vlorës. Bëhet fjalë për 34 vjecarin Angjelo Sado, nga lagja “11 janari” dhe Elidon Selamaj 30 vjec lagjia “Kushtrimi”, i pari një person me precedentë penalë.
Mësohet se Sado ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në spitalin e Vlorës me një plagë të shkaktuar me armë zjarri në këmbë, çka ka bërë që policia të nisë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Kjo ka bërë që të zbulohej automjeti ku 34 vjecari Sado është vetëplagosur aksidentalisht me një kallashnikov, në afërsi të rrugës “Transballkanike”.

Në automjetin me targa të vjedhura, të cilit i ishte hequr shasia, policia ka sekuestruar maska, Shot-Gun, automatik, pistoletë me silenciator, jelekë anti-plumb, si edhe 4 targa automjetesh të vjedhura. Paraprakisht policia dyshon se dy të arrestuarit ishin përgatitur për të kryer ndonjë grabitje ose atentat dhe po hetohet për zbardhjen e plotë të planit të tyre kriminal.

Angjelo Sado ka qenë i dënuar me 6 vite burg, pasi tentoi të vriste në 21 shtator të vitit 2008 me armë zjarri në Fier, Ahmet dhe Amarildo I., babë e bir. 34 vjecari eshte liruar në 1 shkurt të 2013-s dhe deri pak ditë më parë ka qenë në Greqi e në vlorë ishte kthyer ditët e fundit.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb