VLORE – Një 62-vjeçar është plagosur rëndë në fshatin Hoshtimë të Vlorës, pas një konflikti me vëllain e tij. Burime nga policia e Vlorës bëjnë të ditur se 62-vjeçari M.M është goditur me gërshërë dhe leva hekuri nga vëllai i tij Musa Malaj, 55 vjeç dhe Edi Malaj, 29 vjeç, të cilët janë arrestuar nga policia. Ngjarja ka ndodhur në banesën e 62-vjeçarit, ndërsa nuk dihen ende shkaqet e sherrit mes vëllezërve. Ndërkohë 62-vjeçari është transportuar menjëherë në Spitalin e Vlorës për të marrë mjekimin e nevojshëm, ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.
“Policia ka arrestuar në flagrancë pas një konflikti fizik, dy shtetas për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” të mbetur në tentativë ! Arrestohen shtetasit: Musa Malaj, 55 vjeç, Edi Malaj, 29 vjeç, të dy me banim në Hoshtimë-Vlorë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Hoshtimë, në banesën e shtetasit, M.M., 62 vjeç, (vëllai i Musa Malaj). Shtetasit e mësipërm, kanë shkuar në banesën e këtij shtetasi, ku për motive të dobëta në fillim janë konfliktuar me fjalë dhe me vonë situata është tensionuar duke kaluar në konflikt fizik. Gjatë konfliktit fizik, shtetasi M.M., është goditur disa herë me mjet mprehës (gërshërë) në pjesën e brinjëve dhe është goditur gjithashtu me një levë hekuri në të gjithë trupin.”- thuhet në njoftimin e policisë së Vlorës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: