VLORE- Ervis Lulushit iu bllokua pistoleta pasi vrau Paolën dhe kushëririn e saj, Parid Veliaj. Nëse nuk do të ndodhte kjo, ai do të na vriste të gjithëve, duke shkaktuar tragjedi”. Kështu ka deklaruar Gerti Arapi, nga fshati Osmëzez i Beratit, i cili mbeti i plagosur në ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e 2 janarit të këtij viti, në një lokal në afërsi të Akademisë së Marinës në Vlorë. Dy ditë pas ngjarjes së rëndë, e cila tronditi banorët e qytetit bregdetar dhe opinionin publik, shoqe të 21-vjeçares që u ekzekutua nga Lulushi pohuan se nuk është e vërtetë se Paola Bishaj kishte lidhje dashurie me 28-vjeçarin. “Prej më shumë se një viti, Paola jetonte në Gjermani. Ajo u kthye pranë familjes së saj në Vlorë për të festuar Vitin e Ri. Jemi tmerruar nga ajo që ndodhi. Akoma nuk duam ta besojmë se shoqja jonë nuk jeton më. Ervis Lulushi i mori jetën Paolës pasi ajo e refuzoi. Ai e ka ngacmuar Paolën që kur ishte në gjimnaz”, thanë dje për “Gazeta Shqiptare” shoqet e viktimës. Ndërkohë, burime nga policia e Vlorës pohuan se autori i vrasjes së dyfishtë ka qenë person problematik. Sipas bluve, 28-vjeçari Lulushi ka punuar si badigard në lokale të ndryshme të qytetit të Vlorës, kryesisht gjatë sezonit të verës. Rreth një vit e gjysmë më parë ai ka mbetur i plagosur gjatë një atentati. Sipas Policisë, ai ka qenë pranë banesës së tij, kur një person i është afruar dhe e ka qëlluar me kallashnikov, por plumbat e kanë kapur në këmbë. Autori i këtij atentati nuk u arrestua, ndërsa vetë Lulushi deklaroi se nuk e kishte njohur personin që e qëlloi.
VRASJA
Rreth orës 13:20 të së premtes, Ervis Lulushi, së bashku me shokun e tij Henrik Merkaj, kanë qenë duke lëvizur me automjetin tip “Lancia”, me targa AA307HF, përgjatë rrugës në lagjen “Uji i Ftohtë”. Mësohet se Lulushi ka parë një person të njohur në lokalin “Grand Gelato”. Ai ka zbritur nga mjeti dhe ka hyrë në këtë lokal, ku ndodhej Paola Bisha. 21-vjeçarja ka qenë nën shoqërinë e së motrës, kushëririt të saj Parid Veliaj, bashkëshortes së këtij të fundit, Luljeta Veliaj, dhe vajzës së tyre 4-vjeçare, si dhe shtetasit Gerti Arapi. Ervis Lulushi ka kërkuar të takojë Paolën, por është refuzuar nga kushëriri i saj. I indinjuar, 28-vjeçari ka nxjerrë pistoletën model 54 dhe ka qëlluar fillimisht në drejtim të saj, më pas në drejtim të Parid Veliajt (28 vjeç), si dhe ka qëlluar në kokë me qytën e armës Arapin. Për pasojë kanë mbetur të vdekur në vend 21-vjeçarja dhe i afërmi i saj, ndërsa është dëmtuar lehtë Gerti Arapi (28 vjeç). Menjëherë pas krimit, autori është larguar nga lokali dhe ka tentuar të ndalojë automjete të rastit për t’u larguar. Disa metra larg vendit të ngjarjes, nën kërcënimin e armës, ai ka hyrë në automjetin tip “Volksvagen Golf” me targa AA 545 GS, që drejtohej nga shtetasi Daniel Mehmeti, banues në Vlorë, i cili ndodhej rastësisht në afërsi të vendit të ngjarjes. Pasi kanë kryer një pjesë të shkurtër të rrugës me makinë, automjeti është bllokuar nga forcat e policisë. Në këtë moment autori ka braktisur automjetin që grabiti dhe ka filluar të ecë në këmbë, ndërsa blutë i kanë bërë disa herë thirrje për t’u dorëzuar. Pas disa qindra metra ndjekjeje, Policia ka mundur ta rrethojë, ta neutralizojë dhe ta vërë në pranga Ervis Lulushin.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)




Etiketa: