MAQEDONI- VMRO-DPMNE thotë se do të duhet të shqyrtohet paralajmërimi i BDI-së për braktisjen e Qeverisë aktuale teknike. Nga kjo parti kjo ka qenë përgjigja rreth kësaj çështje, që javën e kaluar u diskutua në Reçicë të Vogël.

“Ajo është pyetje të cilën duhet ta shqyrtojmë edhe ne në parti dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Fakti nëse BDI del ose jo nga Qeveria aktuale është çështje e saj partiake, thonë nga LSDM.

“Nuk do të ishte korrekte të komentojmë vendime të partive tjera politike, por unë mund të them se me formimin e Komisionit zgjedhor dhe kryetarin e Kuvendit të ri do t’i përshpejtojë proceset demokratike në këtë shtet të cilat kanë filluar dhe që nuk mund askush t’i ndalojë”, tha Bllagojçe Trpevski nga LSDM.

Për deputetin e Aleancës për Shqiptarët, Vesel Memedi, duhet të analizohet mirë puna e tërheqjes së ministrave të BDI-së për shkak se mund të ketë pasoja edhe më të rënda për institucionet e shtetit.

“Duhet të analizohet mirë se çfarë nënkupton tërheqja e ministrave nga ana e BDI-së, nëse ekspertët vlerësojnë se mund të përshpejtohet situata në Kuvendin e RM-së, atëherë me siguri edhe është menduar mirë dhe duhet të veprohet mirëpo duhet të kemi kujdes që mos të përshkallëzohet situata edhe më tutje”, tha Memedi.

Nga Lëvizja Besa thonë se dorëheqja e ministrave të BDI-së në këtë fazë është hap anti-shtetëror, që do të krijonte një vakum të madh institucional.

“Nëse ministrat e BDI-së japin dorëheqje, me këtë nuk zhbllokohet Kuvendi e as nuk zgjidhet kriza, por kjo edhe mëtej do e thellonte krizën. Kjo është një hap infantil kur ne të gjithë e dimë që parlamenti nuk është plotësisht i konstituar dhe nuk ka kush t’i verifikoj dorëheqjet. Në këtë linjë edhe ky veprim i BDI-së shkon vetëm në favor të VMRO-së dhe të bllokimit të mëtejshëm të institucioneve”, thuhet nga kjo parti.

Kryesia e BDI-së të premten diskutoi për mundësinë e largimit të ministrave të saj nga Qeveria teknike, por para vendimit do kenë këshillime.

“Kemi analizuar tërheqjen e pjesëtarëve të ekzekutivit të Bashkimit Demokratik për Integrim të shohim se sa mund të kontribuojë në zhbllokimin e situatës sepse ka zëra që kjo mund të jetë një kontribut”, tha krytari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Nga kjo parti sot kanë bërë të ditur se vazhdojnë këshillimet dhe se për atë se çfarë do të vendoset do të shihet në mbledhjen e radhës të saj të caktuar këtë javë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: