MAQEDONI-Partia në pushtet në Maqedoni, VMRO-DPMNE-ja deklaroi sot se partia opozitare LSDM qëndron pas organizimit të ngjarjeve të djeshme të dhunshme para ndërtesës së qeverisë maqedonase.

“Të gjithë qytetarët e kanë të qartë se kush sulmoi dhe se kush është sjellë me vandalizëm. Vetë fakti se gjatë sulmit të djeshëm janë plagosur 38 policë flet vetë. Xhirimet dhe fotografitë e sulmit të djeshëm ndaj policisë ku shihet sesi aktivistët e LSDM-së sulmojnë me shkopinj, gurë dhe me pllaka betoni, ku shihet sesi e grisin flamurin e Maqedonisë janë siç duket kënaqësi e Shilegovit dhe LSDM-së”, thuhet në reagim.

Sipas VMRO-DPMNE, ”lideri i LSDM-së, Zaev po zbaton skenar për një konflikt civil dhe për destabilizim të plotë të vendit. Prandaj i bëjnë thirrrje qytetarëve që të mos bien pre e çfarëdo lloj provokimi”.

“LSDM-ja dëshiron që të krijojë një gjendje ku për dhunën e krijuar të akuzojë të tjerët. Ata kanë gjuajtur me gurë policët, të tjerët kanë qenë fajtorë, ata kanë goditur me shkopinj policët dhe përsëri të tjerët kanë qenë fajtorë. Ata, aktivistët e LSDM-së kanë grisur flamurin e Maqedonisë dhe përsëri të tjerë janë fajtorë”, thuhet në reagim.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: