VLORË- Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 32-vjeçar me akuzën për vjedhje me dhunë. Burime zyrtare bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi Klodjan (Ervis) Pasho, banues në lagjen “Partizani” Vlorë.

Mësohet se gjatë natës së 22 tetorit 32-vjeçari ka vjedhur një automjet tip “Fiat” me targë VL 7210 B, në pronësi të shtetasit me iniciale A.L., 43 vjeç, në lagjen “10-Korriku”.

Në mesditë, Klodjan Pasho ka marrë automjetin dhe rreth orës 13:00, ka shkuar tek karburanti “Enea” në periferi të qytetit të Vlorës dhe e ka furnizuar automjetin e vjedhur me 30 litra benzinë, nën kërcënimin e një sëpate që e mbante në dorë dhe është larguar në drejtim të fshatit Xhuerinë.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtij personi dhe kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit si dhe kapjen dhe arrestimin e tij në flagrancë, pranë një kanali, në fund të fshatit Xhuerinë. Policia ka sekuestruar automjetin “Fiat” dhe një sëpatë, në cilësinë e provës materiale.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: