VLORË- Policia e Vlorës i ka vënë prangat, një punonjëseje të Postës në Novoselë pasi akuzohet për vjedhje. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku, bëjnë me dije se është arrestuar 56-vjeçarja Nadire Lako, banuese në Novoselë.

Arrestimi i saj u krye pasi kjo shtetase ka përvetësuar një pjesë të shpërblimit të dhënë nga qeveria për festat festat e fundvitit shtetasit me iniciale N.R., i cili gëzon statusin e veteranit.

Mësohet se i moshuari ka shkuar më 29 dhjetor për të tërhequr shpërblimin e fundvitit, i cili nuk i është dhënë i plotë nga punonjësja e postës, por vetëm një pjesë e vogël, ndërsa pjesën tjetër policia dyshon se e ka përvetësuar Nadire Lako.

Pas kallëzimit të veteranit dhe Drejtorisë së Institutit të Sigurimeve Vlorë, blutë e Vlorës kanë kryer arrestimin e Lakos. Ndërkohë për shkak të dyshimeve, policia u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të zonës Novoselë që nëse rezultojnë si debitorë të OSHEE pavarësisht se i kanë paguar faturat rregullisht nëpërmjet postës, të paraqiten për të dhënë kallëzim në Policinë e Vlorës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb