Fëmijëria e tij do duhej të ishte plot ngjyra, ashtu si topat me të cilët luan, por jeta ndonjëherë është e padrejtë. Leoni njeh fort mirë edhe një tjetër ngjyrë, është ajo e sherupit që ndan bashkë me dy vëllezërit më të mëdhenj, Refatin dhe Rajselin. Ata të tre jetojnë së bashku me nënën e tyre, Erjona Gega dhe varfërinë.



Ata zgjohen çdo mëngjes në një shtëpi me dritare, por pa xhama. Në dyshemenë prej çimentoje, këmbët iu bëhen po aq të akullta sa zemra. Në muret e shtëpisë varen telat e korentit, që ua rrezikojnë jetën fëmijëve, që nga natyra janë kureshtarë e të prirur drejt prapësive, si të gjithë moshatarët e tyre.


Leoni vuan nga mushkëria, ndërsa më herët është bërë operacion në zemër, por nëna e tij nuk i ka mundësitë që t’i blejë çdo ilaç që i nevojitet. Edhe pse është tepër i vogël për të përballuar gjithë këto vuajtje, në sy i lexohet trishtimi, duket sikur e kupton se varfëria i ka gjunjëzuar.

Por gjithnjë ka shpresa. Për Leonin e vogël dhe të vëllezërit kanë menduar miqtë e tyre të panjohur. Nxënësit e klasës së pestë të shkollës “Albanët” kanë zhvilluar një panair ushqimesh e librash dhe paratë e mbledhura ua kanë sjellë tre vëllezërve.

Të shoqëruar nga mësuese Rezarta, ata erdhën vetë te Leoni dhe i dhuruan familjes 215 mijë lekët e vjetra, të fituara me punën e tyre.

Ishte dëshira dhe ideja e tyre të organizoheshin për të ndihmuar disa fëmijë që janë si ata dhe kjo gjë i lumturon. Këta fëmijë që sot rriten me frymën dhe dëshirën për të ndihmuar, nesër do të jenë të rinj më të përgjegjshëm, më humanitarë, më shpresëdhënës.