TIRANE– Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, thotë se bashkitë e vendit nuk kanë fonde shtesë për menaxhimin e mbetjeve urbane, por gjithçka kanë bërë deri më tani, e përballojnë nga buxheti i tyre.

Në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në kuadër të aksionit 6-mujor, “Pastrojmë Shqipërinë që duam”, Ademi tha se fondet e bashkive janë të pamjaftueshme për të përballuar nevojat.

“Bashkitë pas reformës territoriale janë përpjekur të përmirësojnë situatën sa i takon mbledhjes dhe transportimit të mbledhjeve urbane. Sigurisht nisma në kuadër të këtij aksioni është e vlefshme dhe nuk duhet të mbetet në kuadër të një aksioni partizan. Duhet një plan zhvillimi afatmesëm. Të gjitha bashkitë kanë qenë aktive. Është përmirësuar situata, janë mobiluar burimeve financiare nga vetë bashkitë, dhe kanë filluar të punojnë dukshëm jo vetëm për zhvillimin, por edhe menaxhimin e pikave të nxehta.

Kjo është me rëndësi për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit. Shifrat tregojnë se tashmë ka një sensibilizim më të madh edhe të vetë komunitetit. Por ne vazhdojmë të mos kemi investime thelbësore që krijojnë mundësinë e një impakti të madh në mundësinë si ne i menaxhojmë mbetjet. Nuk ka një nivel shtesë fondesh në nivel kombëtar për të menaxhuar mbetjet urbane”, u shpreh kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: