TIRANE- Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Rama, ku ky i fundit deklaroi nga Shkodra se Voltana Ademi ‘po flinte gjumë’.


Basha i ka dalë në mbrojte kryebashkiakes Ademi, ndërsa akuzoi Ramën se ka lënë pa fonde këtë qytet në shenjë hakmarrje. Lideri i PD-së theksoi se Rama sulmon Voltanën, pasi ajo e bën nervoz.


“Voltana Ademi është një zonjë grua që punon dhe përpiqet për Shkodrën edhe pse Edi Rama e ka lënë Shkodrën pa fonde dhe pa mbështetje si hakmarrje politike ndaj saj. Edi Rama e sulmoi sot Voltanën, për të disatën herë, sepse Voltana e bën nervoz. E bën nervoz Edi Ramën sepse ajo i kujton që gjysmat e kryetarëve socialistë të bashkive i ka përdhunues, trafikantë dhe kriminelë gjithfarësojesh nga Elvis Rroshi tek Adriatik Zotkaj. Voltana e bën nervoz Edi Ramën sepse ajo i kujton atij se Shkodrës i vuri deputet një hajdut të pangopur si Ilir Beqja. Edi Ramën e bën nervoz Shkodra, e bën nervoz e gjithë Shqipëria sepse nuk i gënjen dot më me fasadat dhe premtimet mashtruese dhe as nuk i tremb dot më me të fortët. #NgrihemiBashke #ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe”, tha Basha në reagimin e tij.


Nga “kryeqendra” e Veriut, Rama tha sot se “Bashkia e Shkodrës është bashkia më shembullore për gjumë, dhe nuk e çan kokën për familjet. Më vjen keq që atë që e hëngri Tirana deri në 2015-n, tani po e ha Shkodra. Më vjen keq që gjumin e Tiranës e kanë çuar në Shkodër, dhe që krevatin e gjumit të Bashës në Tiranë ia kanë dhënë Voltanës.”

Por në përgjigjen e saj përmes rrjetit social “Facebook”, Voltana Ademi iu përgjigj mbrëmjen e sotme “dhëmbë për dhëmbë” akuzave të kryeministrit Rama. Ajo tha se:”Edi Rama nuk ka një shtrat po shumë shtretër pasi flet nga shtretërit e shokëve te shumtë kriminelë të rrezikshëm që i bëri deputet e kryetar bashkish”.
(ed.me/BalkanWeb)