I ftuar në studion e emisionit ‘Kjo Javë’, ish-kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se kërkesa e opozitës në institucionin e administrimit të zgjedhjeve ka legjitimitet, dhe Kodi Zgjedhor ia jep këtë të drejtë, përfshi edhe atyre që nuk janë subjekt zgjedhor.


“Për aq sa unë jam njohur me kërkesën e PD, mund të them se kjo kërkesë ka legjitimitet, ka kërkuar informacion nga komisionet më të ulëta, është një dokumentacion që Kodi Zgjedhor ia jep të drejtën përfshi edhe ata që nuk janë subjekt zgjedhor, që ta marrin këtë dokumentacion dhe të konsultohen me këtë dokumentacion kundrejt një procedure të caktuar që ka të bëjë me protokollin. Nuk shoh pengesë ligjore për mos dhënien e këtij dokumentacioni” – tha Celibashi.


Duke u ndalur në vendimin e Kolegjit Zgjedhor, Celibashi tha se me rrëzimin e kërkesës së drejtuar nga Partia e drejtuar nga Idajet Beqiri, indirekt u rrëzua edhe dekreti i Presidentit të Republikës.


“Kolegji në substancë tha se KQZ ka vepruar drejt, pra indirekt e rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, duke thënë që procesi zgjedhor është duke u zhvilluar në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor, por dekreti në vetvete, shqyrtimi i dekretit dhe i ligjshmërisë së tij nuk është kompetencë e Kolegjit Zgjedhor dhe as e KQZ. Por duke qenë një akt absolutisht i pavlefshëm që nuk prodhon asnjë pasojë juridike pak e vështirë për t’u kuptuar për opinion, kështu ka konsideruar KQZ dhe Kolegji” – u shpreh Celibashi ndërsa nuk preferoi të komentojë se pse z.Beqiri iu drejtua me një kërkesë të tillë Kolegjit.

Vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, Celibashi e sheh në ndryshimet e domosdoshme të kodit zgjedhor, e më tej edhe në vullnetin politik të subjekteve zgjedhore.

“Duhet më së pari të bëjmë ndyshime në kodin zgjedhor, pasi Kodi zgjedhor parashikon procedura të tilla që edhe nëse procesi do të shkojë normalisht, pa konflikt, pa kontestime procedura e nxjerrjes së rezultatit është, relativisht edhe e komplikuar po kërkon kohë fizike, dhe sa kohë do të jetë kjo procedurë e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve, edhe nëse ne do ta kemi procesin zgjedhor të zhvilluar qetë, ne rezultatin do ta kemi të shpallur jo më herët se 24 orë nga mbyllja e qendrave të votimit. Pra, më së paku duhen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, më pas fut edhe vullnetin politik për të pranuar procesin dhe rezultatin e zgjedhjeve. Mendoj që partitë politike duhet të mësojnë dhe të kuptojnë që në momentin që ti hyn në garë, ke pranuar legjislacionin, duhet të pranosh edhe verdiktin e tyre”,- vijon me tej Celibashi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb