TIRANË- Ka nisur me vonesë seanca e parashikuar tek Krimet e Rënda për Safet Bajrin. Vonesa gjatë transportit nga Shkodra për në Tiranë ka bërë që seanca e parashikuar për në orën 14:00 për Bajrin, të niste me rreth 50 minuta vonesë.

Vonesa në transport ka shkaktuar disi merak në gjykatë, por më pas Bajri ka mbërritur i shoqëruar nga dhjetëra forca policie.

Në gjykatën e Krimeve të Rënda, Safet Bajri së bashku me anëtarë të tjerë të bandës “Bajri”, të arrestuar gjatë aksionit policor “Oaz”, do të njihet me masën e sigurisë.

Aksioni policor u shtri në disa qytete të vendi si në Tiranë, Shkodër, por edhe jashtë kufijve. Roterdam dhe Holandë. Ndërkohë dy të tjerë janë shpallur në kërkim, në sajë të aksionit ‘Oaz’.

Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”.

TE ARRESTUARIT
1.Behar Brajoviq, (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë;
2. Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë;
3. Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
4. Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
5. Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
6. Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;
7. Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;
8. Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;
9. Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;
10. Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;
11. Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.
Në kërkim;
-Enver Bajri., 45 vjeç
-N.H., 34 vjeç.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb