Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi ka kërkuar të lehtësohen procedurat për të gjithë qytetarët në emigracion, të cilët në një moment janë detyruar ta lenë shtetësinë shqiptare.
Në seancën plenare Bylykbashi solli shembullin e qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në Gjermani dhe e kanë lënë shtetësinë pasi Gjermania më herët nuk e lejonte dyshtetësinë. Gjermania prej një viti i ka ndryshuar rregullat dhe e lejon dyshtetësinë, por tashmë qytetarët e kanë të vështirë të rimarrin shtetësinë shqiptare.
“Shumë qytetarë shqiptarë janë detyruar ta lenë shtetësinë, sepse shteti gjerman deri para pak kohësh nuk e njihte dyshtetësinë, por sot ka gati një vit që e njeh. Këta shtetas janë të gatshëm ta rimarrin shtetësinë shqiptare në mënyrë që të kenë të gjitha të drejtat si çdo shqiptar tjetër. Ua keni bërë mal ngjitjen, e kanë të vështirë marrjen e shtetësisë shqiptare. Ata duhet ta kenë të thjeshtë tu rikthehet shtetësia shqiptare. Duhet patjetër, pa humbur kohë. Ndoshta për këto zgjedhje nuk arrihet, por është e drejta e tyre, ne duhet t’ua rikthejmë. Ështe detyra jonë që tu japim atyre nderin të thonë, ne jemi shtetas shqiptarë!” Deklaroi në parlament, nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi.