Kryetari i KQZ Ilirjan Celibashi përmes një video-mesazhi ka uruar të gjithë shqiptarët për një vit të mbarë dhe me shëndet për familjet e tyre.

Përpos urimit për festat, Celibashi ka dhënë njoftimin se më datë 11 janar 2025 do të nisë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë vendit, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Ai tha se regjistrimi bëhet nëpërmjet platformës Elektronike të Regjistrimit të regjistruesve nga jashtë, në të cilën mund të futesh nga aplikacioni KQZ ose përmes faqes së internetit të institucionit.

Kujtojmë se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të mbahen më datë 11 maj 2025, datë që është dekretuar nga presidenti Bajram Begaj. Në zgjedhje, diaspora do të votojë për herë të parë për kandidatin e tyre të preferuar, pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri.

Mesazhi i plotë:

Duke uruar gjithë shqiptarët për një Vit të Ri 2025 me shëndet e mbarësi për ta, njoftoj se në datën 11 Janar 2025, fillon procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025.

Regjistrimi do të bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni KQZ, ose nëpërmjet faqes së internetit të këtij institucioni.Ky është një moment historik për zgjedhjet në Shqipëri, pasi për herë të parë bashkëqytetarët tanë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të kenë mundësi të votojnë atje ku ata e kanë vendqëndrimin e tyre.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb