Nador Bakalli nga “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” duke folur në rubrikën “Opinion” në News24 lidhur me votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë tha se një nga problemet është që ai që do të votojë duhet të deklarojë adresën.

“Preferenca jonë do të ishte që të bëhej me vetëdeklarim. Tani duhet që të vetohet gjithçka që je deklarojmë. Ne i japim të drejtën KQZ apo palës shqiptare që të vetojë një dokument kur s’ka ekspertizë”, tha Bakalli.

Në vijim, ai tha se janë procedura që nuk e lehtësojnë procesin, referuar ankimit për të drejtën e votës. “Unë nuk e di nëse Gjykata e ka kapacitetin që të shqyrtojë ankimet që mund të bëhen për të drejtën e votës. Unë jetoj në Kanada, nëse më duhet të bëj një ankim mbi të drejtën e votës, unë duhet të vij në Shqipëri, atëherë çfarë kuptimi ka kjo?”, tha Bakalli.

Dhurata Çupi, deputete e PD-së, u ndal në problemin e rinovimit të dokumenteve të identifikimit. Ajo tha se shumë shqiptarëve mund t’i mohohet e drejta e votës vetëm sepse dokumentet e tyre shqiptare, kartat ID apo pasaportat, mund t’i kenë skaduar. “Nëse dikush do t’i drejtohet Konsullatës, atje ku prodhohen kartat ID, atëherë ai s’mund të marrë kartën pa pasur pasaportën, por kjo është një kosto”, tha Çupi.

Por deputeti Xhemal Qefalia tha se ky kusht është hequr. “Nuk është më si kusht, nuk do të thotë se duhet t’i marrësh të dyja”, tha Qefalia.

Kristaq Kume, ish-Kryetar i KQZ-së, tha se duhet të kemi parasysh udhëzimet apo aktet që për zgjedhje, mund të përdoren dokumentet e pavlefshme, pra ato të skaduara. “Kjo ka ndodhur, data në dokument është për të marrë shërbime, mjafton që përmes kartës apo pasaportës të vërtetohet kush është ai që voton”, tha Kume.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb