Analisti dhe gazetari Mentor Kikia ka theksuar rëndësinë e standardeve në procesin e votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke nënvizuar se besueshmëria dhe drejtësia janë elemente kyçe.
Gjatë një interviste në emisionin “Log.” në “News24,” Kikia paralajmëroi se çdo manipulim në këtë proces do të kishte pasoja të rënda.
“Nëse me votën e diasporës do të veprohet si me zgjedhjet në Dibër, i kemi bërë një dëm të jashtëzakonshëm. Kemi shembur dhe shkatërruar që në hapin e parë një proces që po luftohet si jashtë ashtu edhe brenda vendit, për dekada,” tha Kikia.
Ai bëri thirrje që procesi të jetë i pakundërshtueshëm dhe të ndërtohet mbi një bazë të drejtë, duke shërbyer si shembull për të ardhmen.
“Sesi do votojnë shqiptarët jashtë dhe çfarë roli do të luajnë në trazimin apo vijimin e të njëjtës situatë të gjendjes politike, dua ta konsideroj dytësore.
Parësore unë do të quaja standardin. Nëse me votën e diasporës do të veprohet si me zgjedhjet në Dibër, i kemi bërë një dëm të jashtëzakonshëm sepse kemi shembur dhe shkatërruar që në hapin e parë një proces që po luftohet si jashtë ashtu brenda vendit, për dekada. Ky proces realizohet tani sepse tani do partia në pushtet.
Është shumë e rëndësishme që procesi të jetë i besueshëm, i pakundërshtueshëm dhe i drejtë. Ne na shkon gjuha te e keqja, sepse çdo proces zgjedhor ka kaluar përmes manipulimit dhe nuk është pranuar nga kundërshtari. Kjo është shumë e rëndësishme të mos ndodhë me votën e emigrantëve”, tha ai.