Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i ftuar në emisionin Kjo javë në News 24 ka vlerësuar votën e diasporës si një zhvillim tepër pozitiv për shqiptarët jashtë vendit.
Ai theksoi se regjistrimi për të votuar nuk është i vështirë. Kume gjithashtu ngriti shqetësimin për një “çudi shqiptare”, duke pyetur për arsyen që dikush që jeton në Shqipëri, por ka një ID të skaduar, nuk mund të votojë, ndërsa ata jashtë mund ta bëjnë këtë.
Kristaq Kume: Vota e diasporës është një zhvillim pozitiv. Kjo, pasi shqiptarët jashtë më herët nuk kanë pasur mundësi që të votojnë. Ka qenë një detyrë patriotike dhe nuk e shoh se u bë ndonjë gjë e madhe, por diçka që e kanë bërë vendet fqinje dhe na kishte ardhur koha edhe neve që ta bëjmë. Shqiptarët kanë shprehur interes tepër të lartë për të ushtruar të drejtën e votës.
Regjistrimi nuk është i vështirë. Nëse nuk e di vetë, mund t’i thuash dikujt që të të regjistrojë. Çudia shqiptare qëndron në faktin se përse unë që jetoj në Shqipëri e më është skaduar karta e ID, nuk votonkam e ai në Paris votonka. Mund të jetë ID e pavlefshme, por ID e tregon se ky person jam unë.
