Analisti Mentor Kikia, ka deklaruar se në lidhje me votën e diasporës, Partia Socialiste e ka nisur fushatën më shpejt dhe më me agresivitet se PD.
I ftuar në “Opinion” në News24, ai u shpreh se risia e votimit nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit është një pikë e cila e lë politikën shqiptare përpara shumë të panjohurave, pasi për këtë kategori nuk ka të dhëna se si do të votohet apo se sa të interesuar janë të përfshihen në këtë proces qytetarët që prej vitesh apo dekadash nuk jetojnë më në Atdhe.
Kikia shtoi se pavarësisht takimeve që mund të zhvillohen jashtë vendit, fushata e vërtetë për të thithur votat e diasporës do të jenë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave.
“Duke qenë se për herë të parë emigrantëve u mundësohet e drejta e votës për të votuar nga vendet ku jetojnë. Kjo është një risi që do të doja të mos paragjykohej dhe të dështonte. Shtrirja e fushatës edhe në vende të tjera është sforco për partitë politike pas brenda vendet i kishin të ngritura strukturat dhe i dinin pikët e forta apo të dobëta. Nuk kemi precedentë që të kuptojmë trendin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit, nuk dihet sa është interesi për të kontribuar me votë apo sa të lidhur janë me zhvillimet politike brenda vendit.
Ky votim do të zbulojë shumë elementë të cilat nuk i dimë dhe nuk kemi ë dhëna pasi nuk ka as sondazhe duke qenë se partitë nuk kanë qenë të interesuar.
Pavarësisht takimeve, fushata do të kryhet përmes rrjeteve sociale dhe mediave.
PS e ka nisur më herët dhe në mënyrë më agresive fushatën, kjo pasi PS ka më shumë instrumente administrative dhe financiare në dorë”, tha ai.