Në Programin e drekës në News 24 u diskutua ndër të tjera edhe për votën e diasporës.

Deputeti i PD Dashnor Sula tha se shqiptarët jashtë janë të zhgënjyer nga qeveria dhe do të votojnë opozitën.

Kreu i LZHK Dashamir Shehi u shpreh se shqiptarët jashtë duket se po vihen nën trysni nga partitë, që po bëjnë fushatë “të egër” edhe jashtë Shqipërisë. Sipas tij, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit duhet të votojnë të lirë e mos bëhen kopje e shëmtuar e shoqërisë shqiptare që jetojnë në vend. Për Shehin, edhe diaspora po bëhet më e përçarë nga se ishte, pikërisht për shkak të fushatave të partive.

Dashnor Sula: Unë jam shumë i surprizuar nga vota e diasporës, që PD e mirëpret, sepse nuk deformohet. Pushteti të “mbyt” brenda vendit. Qeveritarët po bredhin si qen nëpër shkretëtirë dhe janë njerëz të administratës, ndërsa tek ne në PD vijnë njerëz të thjeshtë, hallexhinj. Opozita fiton në diasporë. Shqiptarët që jetojnë jashtë duhet të votojnë edhe pa qenë të pajisur me letërnjoftim shqiptar.

Dashamir Shehi: Partitë po çojnë tensionet edhe në diasporë. Por, partitë po bëjnë tubime edhe në diasporë dhe po bëjmë çorape edhe shqiptarët jashtë, duke e bërë diasporën më të ndarë nga se ishin. Shqiptarët jashtë duhet të votojnë të lirë dhe jo të votojnë si në Shqipëri, ku partitë organizojnë mbledhje e tubime.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb