Ka disa vite që ka dalë kjo teoria bajate dhe Vota e humbur kot! e palogjikshme, se vota për atë që do e vlerëson për më të mirin e më të ndershmin, është votë e humbur kot, nëse kandidati i virtytit është jo nga parti e madhe dhe jo me miliona oligarkësh apo krimi… Logjika e votës së humbur është logjikë gavete. Hordhitë e militantëve kokëboshë dhe injorantë mbahen peng nga kjo logjikë… Sepse, nëse pret dikush mrekullinë që në kohët e sotme, partitë e mëdha të kandidojnë njerëz të virtytshëm, atëherë më vjen keq, por gjasat janë krejt të zbehta në kufijtë e të pamundurës. Po aq të zbehta janë shanset që vetë kandidatët e virtytshëm, të ndihen të përfaqësuar e të pranojnë të kandidohen nga partitë e mëdha. Të virtytshmit as që duan t’ua shohin bojën partive të mëdha. Pra, as partitë e mëdha nuk kandidojnë njerëz të virtytshëm, e as njerëzit e virtytshëm nuk pranojnë të kenë afri apo lidhje me partitë e mëdha. Atëherë nëse nuk votojmë njerëz të virtytshëm, kë votojmë? Me siguri votojmë zgjedhjet e pështira të partive të mëdha që janë kryesisht kaqola, gjytyrymë, servilë symbyllur e gojëmbyllur, batakçinj, mashtrues e plaçkaxhinj…

Partitë e mëdha gjithmonë zgjedhin “karta e figura” të cilëve ua dinë lidhjet e bëmat edhe pse publiku i pranon si “shitje të reja” kur i njeh pak apo ndryshe… Njerëzit e virtytshëm ose nuk ngatërrohen fare me politikë, ose nëse i hyjnë politikës e bëjnë për mision. Njerëzit e virtytshëm nuk janë as hajdutë, as mashtrues, as batakçinj, as përfitues e kësisoj nuk kanë as pasuri, as hordhi, as media, as oligarkë e as krim të organizuar, ndaj edhe janë e duken të dobët… Por, të jesh qytetar i dobët prej virtytit është fuqi e jashtëzakonshme karakteri e vlerash… Atëherë ripërsëris pyetjen: Nëse nuk votojmë njerëzit e virtytshëm se na duken të dobët, pa para e pa media e pa hordhi, atëherë kë votojmë? E thjeshtë fare. Shikoni historinë e 34 viteve. Në 34 vite shqiptarët kanë votuar partitë e mëdha dhe kandidatët e tyre. Dhe kanë 34 vite që ankohen për hajdutët, derrat, maskarenjtë, që janë 34 vite që na rrjepin e plaçkitin gjithçka e na përzënë fëmijët nga atdheu… Po nëse ne i votojmë, atëherë pse ankohemi? Po nëse ne ankohemi çdo ditë, atëherë pse i votojmë?

VOTA E HUMBUR

Të votosh një njeri të virtytshëm, të thonë se quhet votë e humbur se nuk fiton dot e ikën vota kot… Por nëse partitë e mëdha kandidojnë veç hajdutë, kodoshë, plaçkaxhinj, kriminelë, spiunë sigurimi, fuksa e llum, pse qenka “votë fituese” vota për ta? Pse? Sepse vota për ta është qartazi votë që na çon përsëri në humbje kohe, jete, në humbje kohe, në mjerim, në humbje shprese e në ankimime rituale pafund. Nëse “vota fituese” që shkon për partitë e mëdha, na humbet përfaqësimin, na humbet dinjitetin, na humbet kohën, na humbet zhvillimin, na humbet jetën, na humbet shpresën, na përzë nga atdheu e na zhyt në depresion e ankimime të përditshme, atëherë ma thoni pse kjo qenka “vota e duhur”?

Nëse “vota fituese” për partitë e mëdha është votë e tipit: Hajduti i anës sonë është më i mirë se hajduti i anës tjetër, më ndjeni, por ku është përfitimi publik? Nëse “votë fituese” u quaka vota për një nga partitë e mëdha, sepse kështu ka shanse të fitojë njëri hajdut kundër hajdutit tjetër, ma thoni si dhe ku fiton Shqipëria? E vetmja votë që njoh unë si votë të lirë, është vota për njeriun e virtytshëm… Vota për njeriun e ndershëm e të virtytshëm nuk është kurrë votë e humbur. Sepse ndoshta nuk fiton dot ende një kandidat i ndershëm dhe i virtytshëm, por me siguri fiton shpirti ynë dhe Shqipëria fillon e ka shpresë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: