TIRANË

Politologu Roland Lami ka analizuar në studion e emisionit “Real Story” në News24 sjelljen e kryeministrit Edi Rama në situatën post tërmet me familjet e prekura që kanë humbur të dashurit apo shtëpitë e tyre.

Ndërsa paneli diskuton mbi temën “Vota nga elektorati”, Lami tha se kur ka kriza të mëdha, psikologjikisht sjellja e njerëzve është që kanalizohet jeta në gjërat esenciale, të domosdoshme apo të mbijetesës.

Sipas tij, kur nuk ka struktura të konsoliduara shteti thellohet dhe më shumë në korrupsion. Për Lamin, luajtja me elementin psikik, emocional të njerëzve dhe jo me elementin racional luan goxha rol. Por ai pyet se sa do të zgjasë humori i elektoratit në favor të kryeministrit Rama?!

“Elementi i parë makro është që krizat në nivel të teorive të sistemeve politike na tregojnë që testojnë se sa i konsoliduar është sistemi. Kjo krizë na nxori në pah që ne sistemin e kemi sistemin të fragmentarizuar, të copëzuar, aspak të konsoliduar dhe vazhdojmë të jemi në tranzicion. Në këto kushte kur na ekspozohen të gjitha frakturat sociale, ekonomike, politike, kulturore nëse do të thoshim kështu e elektorale sistemi me shumë gjasa që në kohë krize të groposet edhe më shumë. Kur ka kriza të mëdha, psikologjikisht sjellja e njerëzve është që kanalizohet jeta në gjërat esenciale, të domosdoshme apo të mbijetesës. Sot një masë e mirë e njerëzve në Tiranë, në Durrës, në Fushë-Krujë, në Krujë, në Lezhë janë në nivelin e mbijetesës dhe për ta nuk përbën shumë rëndësi nëse fondi si po menaxhohet në aspektin e dhënies së ndihmës, tenderat që do zhvillohen në lidhje me ndërtimin e ndërtesave janë në përputhje me ligjin apo jo, kompani që futen në tendera, janë kompani të përzgjedhura nga kryeministri apo janë kompani që konkurrojnë me njëra-tjetrën mbi bazën e ofertës, sa transparente janë shpenzimet që po bën qeveria nuk ka askush shqetësim për këtë pjesë.

Shqetësimet janë a po më zgjidhet emergjenca, strehimi, kompensimi, komoditeti që kisha dikur dhe prona që më ka humbur. Në këtë kuptim kur nuk ka struktura të konsoliduara shteti thellohet dhe më shumë në korrupsion. Elementi tjetër interesant që doja të nxirja në pah, është fakti që në këto kushte personalizohet edhe më shumë pushteti. Pas strukturat ose nuk janë në gjendje, ose s’marrin rol, ose pengohen të marrin rol dhe rol të madh merr lideri, siç ka marrë kryeministri, i cili është ditë e natë në vëmendje dhe përqendrimin e kamerave për të na treguar se situata zgjat edhe vazhdon. Duke qenë se përqendrohet vëmendja, përqendrohet pushteti, mekanizmat që duhet të kishin normalisht një shpërndarje pushteti dhe rolesh nuk janë ose nuk janë siç duhet, ose janë anemike, roli populist i liderit vetvetiu shtohet i cili merr përsipër të japë zgjidhje për çështje nga më komplekset, merr rolin e urbanistit, e inxhinierit, e financierit, e psikologut, e artistit, e këngëtarit dhe këto shumëfishime rolesh i merr lideri në kuadrin e prekjes të emocioneve të njerëzve dhe karaktereve të ndryshëm dhe këtë gjë po bën.

Ajo çfarë është shqetësuese për mua në kuptimin e një kritizeri, është që Rama e ka testuar që lojërat me emocionet e njerëzve siç ishte fushata në 2017 ngjit, protagonizmi mbi organizimin e fushatës ka efekt pozitiv. Luajtja me elementin psikik, emocional të njerëzve dhe jo me elementin racional luan goxha rol. Duket që tendenca, humori i elektoratit shkon në favor të Ramës por a do të zgjasë shumë? A do vazhdojë të jetë në këto kuota, sepse problemi do vazhdojë të jetë aty”, deklaroi Lami.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb