ITALI – Lombardia dhe Veneto do të zhvillojnë referendume ditën e nesërme për të fituar më shumë autonomi nga Roma. Pavarësisht tensioneve separatiste dhe krizës që ka pushtuar prej javësh Katalunjën dhe Spanjën, duket se kjo nuk e ka zbehur ëndrrën e këtyre dy rajoneve për të kërkuar më shumë liri.

Lega Nord është partia që qëndron pas kësaj shtytjeje për referendum, ku votuesit do të pyeten nëse duan që përfaqësues rajonalë të negociojnë me Romën për më shumë autonomi dhe fitime nga taksat.

Dy referendumet pritet të kenë kosto tepër të larta për rajonet e pasura, teksa Lombardia do të shpenzojë thuajse 50 milionë euro dhe Veneto 14 milionë. Kjo diferencë e madhe në vlera ndodh sepse referendumi i Lombardisë do të zhvillohet në mënyrë elektronike, ndërsa në Veneto, votimi do të jetë tradicional, pra me laps e letër.

Sipas analistëve, ajo çfarë këto dy referendume italiane kërkojnë në të vërtetë është pozicionimi politik përpara zgjedhjeve vendimtare të vitit të ardhshëm.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: