Komisioni Shqiptar i Helsinkit ka reaguar pas mbylljes së votimit në të gjitha qendrat e votimit, në 61 bashkitë e vendit.

Përmes një deklarate të publikuar në “Facebook”, Komisioni i Helsinkit vë në pah pjesëmarrjen e ulët në votime, duke shtuar se në orët e fundit pati një ulje edhe më të ndjeshme.

KSHSH publikon të dhënat në disa qendra votimi, në të cilat sipas këtij institucioni, pati një rënie të ndjeshme të votuesve në orët e fundit.

Ndërkohë, që nuk lë pas edhe kritikat, teksa deklaron se “Vërejtja me shkrim e vëzhguesit të KShH-së për mosrespektimin e plotë të procedurës që duhet të ndiqet në rastet kur zgjedhësi nuk mund të votojë vetë për shkaqe shëndetësore, nuk është marrë në konsideratë nga ana e Komisionit të QV nr. 1889/1 pranë Njësisë nr. 7”.

Deklarata e plotë e Komisionit të Helsinkit:

Mbyllen disa Qendra Votimi – Para mbylljes së tyre, bie fluksi i zgjedhësve në një pjesë të këtyre qendrave të monitoruara nga vëzhguesit e KShH-së. Sikurse dihet sipas Kodit Zgjedhor, qendrat e votimit mbyllen parimisht në orën 19:00, me përjashtim të rasteve kur në këto qendra ka fluks zgjedhësish në kohën që qendra duhet të mbyllet, në ambientet e jashtme të qendrës. Orët e fundit të monitorimit evidentuan një rënie të ndjeshme të numrit të zgjedhësve në qendrat e votimit që po monitorohen nga vëzhguesit e KShH-së.

Përshembull, në qytetin e Tiranës, QV nr. 1889/1 janë paraqitur 178 zgjedhës nga 907 zgjedhës që duhet të jenë në total. Gjithashtu, në Shkollën Dëshmorët e Lirisë në QV nr. 1830 kanë votuar 28% e zgjedhësve, përkatësisht 126 zgjedhës nga 266 në total. Në 2 QV që po monitorohen nga vëzhguesi i KShH-së në Pallatin ‘Asllan Rusi’, respektivisht QV nr. 1887/1 dhe nr. 1887/2 rezultojnë të kenë votuar 378 zgjedhës, ndërkohë që po shqyrtohet nga ana e komisioneve mundësia e shtyrjes së orarit të mbylljes së votimit me një orë. KShH po verifikon këtë informacion pasi KQV shtyn procesin e votimit pa orar, vetëm në rast se në kohën e mbylljes së tij ka persona prezent në ambientet jashtë QV, për të mundësuar votimin e këtyre të fundit. Rreth orës 18:44 pranë Shkollës ‘Vasil Shanto’, në QV nr. 1840 është vërejtur një rritje e numrit të votuesve me rreth 50 votues në një hark kohor prej 1 orë.

Në tërësi, situata e raportuar nga vëzhguesit e KShH-së ka vijuar të jetë normale dhe e qetë. Ndërkohë që dy-tre orë më parë raportohen këto parregullsi. Konkretisht:
Rreth orës 15.45, në QV nr. 1844/1 pranë Shkollës ‘Besnik Sykja’ vëzhguesi i KShH-së ka depozituar vërejtje në mënyrë të përsëritur, për shkak se në këtë QV është konstatuar hyrja e personave të paautorizuar, gjë që përbën cënim të nenit 110 të Kodit Zgjedhor.

Vërejtjet e depozituara nga vëzhguesia nuk janë protokolluar dhe anëtarët e Komisionit, të cilët nuk kanë rënë dakord mbi detyrimin që kanë për ta protokolluar vërejtjen, detyrim ky i parashikuar në nenin 41 të Kodit Zgjedhor. Në këto kushte, vëzhguesia ka depozituar përsëri vërejtje për mosrepsektim të dispozitave të Kodit Zgjedhor për protokollimin e vërejtjeve me shkrim. Në QV nr. 18041, pranë ZAZ nr. 34, vëzhguesi i KShH adresoi vërejtje me shkrim për shkak se 1 zgjedhës që po votonte u tentua të ndihmohej pa vullnetin e tij nga një person tjetër duke bërë që në dhomën e fshehtë të qëndronin 2 persona.

Vërejtja me shkrim e vëzhguesit të KShH-së për mosrespektimin e plotë të procedurës që duhet të ndiqet në rastet kur zgjedhësi nuk mund të votojë vetë për shkaqe shëndetësore, nuk është marrë në konsideratë nga ana e Komisionit të QV nr. 1889/1 pranë Njësisë nr. 7.

Helsinkii
Helsinkii

(BakanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb