Në Parlamentin e Francës ka nisur debati mbi mocionet e mosbesimit të paraqitura nga Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen dhe aleanca e majtë NFP, që mund të rezultojnë me rrëzimin e qeverisë së Kryeministrit Michel Barnier.

Cyrielle Chatelain, kryetarja e grupit parlamentar të Partisë së Gjelbër, pjesë e aleancës së majtë NFP, thotë se duart e deputetëve të saj “nuk do të dridhen” kur bëhet fjalë për votën për mocionin e mosbesimit, sepse ata “vazhdojnë të shpresojnë se diçka më e mirë është ende e mundur”.

Laurent Wauquiez i partisë së qendrës së djathtë Les Républicains, tha se nuk do të votojë për mocionin e mosbesimit, ndërsa shtoi se për herë të parë në 62 vjet “një qeveri rrezikon të rrëzohet”. “Të gjithë jemi të vetëdijshëm për situatën jashtëzakonisht të vështirë politike”, theksoi ai.

Por, Wauquiez, shtoi se deputetët kanë “një zgjedhje krejtësisht të qartë” mes “interesit të vendit apo interesit të partive; mes përgjegjësisë dhe kaosit, zgjidhjes apo çrregullimit”.

Boris Vallaud, kreu i Partisë Socialiste të qendrës së majtë (PS), duke iu drejtuar kryeministrit, tha se mocioni i mosbesimit është “para së gjithash dështimi juaj: dështimi i Michel Barnier”.

Marine Le Pen tha në fjalën e saj se gjatë këtyre 3 muajve u tregua se kemi një qeveri pa asnjë themel demokratik. Ajo akuzoi barnier për sektarizëm dhe dogmatizëm.

Le Pen thotë se vota e mosbesimit “është pasojë jo vetëm e manovrave elektorale, e zgjedhjeve legjislative që e privuan Francën nga shumica qeverisëse, por edhe e shantazhit të pakicës suaj, e cila ju ndaloi të gjenit një mënyrë për të punuar me partitë opozitare – themeli i demokracisë”.

“Çfarëdo që të ndodhë, Tubimi Kombëtar do të jetë gati për të hapur rrugën e rimëkëmbjes së vendit. Koha nuk është e largët para se të afrohet ndryshimi i madh i qeverisë”, tha Le Pen.

Éric Coquerel,  deputet nga partia radikale e majtë France Unbowed (LFI) tha  se është “i nderuar të mbrojë” mocionin e mosbesimit të paraqitur nga aleanca e majtë LFI, duke shtuar se shumica e popullit francez e mbështesin atë.

“Barnier do të ishte kryeministri i parë që do të mposhtet me një votë mosbesimi që nga George Pompidou në 1962”, tha ai.

Coquerel akuzoi Barnier se u përpoq të arronte kompromise me të djathtën ekstreme,  duke shkelur “frontin republikan”.

Ai e cilësoi Barnier një viktimë, ndërsa Presidentin Macron si “përgjegjësin e vërtetë për këtë situatë”.

Po çfarë ndodh nëse Qeveria në Francë bie?

Duke supozuar se Parlamenti në Francë do të votojë për rrëzimin e Qeverisë Barnier, i cili ka qenë në detyrë për më pak se tre muaj, ai do të duhet t’i dorëzojë dorëheqjen Presidentit Emmanuel Macron.

Për sa i përket buxhetit të vitit 2025, një opsion do të ishte që Macron të dorëzohej ndaj kërkesave buxhetore të RN dhe të emëronte një kryeministër të mbështetur nga partia e djathtë ekstreme. Por kjo do të nënkuptonte braktisjen e përpjekjeve për të ulur deficitin buxhetor të Francës.

Ka më shumë gjasa që ai t’i kërkojë Barnier-it të qëndrojë si Kryeministër kujdestar.

Një qeveri e përkohshme mund të kërkojë gjithashtu kompetenca kushtetuese për të miratuar buxhetin e vitit 2025 me urdhër ekzekutiv nëse deputetët nuk e kanë miratuar atë deri më 20 dhjetor, por ekspertët ligjorë thonë se ky është një territor i pasigurt dhe do të ishte i hapur për sfidë.

Si zgjidhje afatgjatë, Macron ka pak opsione për një kryeministër dhe qeveri të re. Ministri besnik i mbrojtjes, Sebastien Lecornu, dhe aleati qendror i Macron, Francois Bayrou, mund të jenë pretendentë të mundshëm.

Në të majtë, Macron mund t’i drejtohet ish-kryeministrit socialist dhe ministrit të brendshëm Bernard Cazeneuve, i cili ishte për pak kohë një pretendent në shtator.

Por rreziku mbetet që deputetët t’i rrëzojnë njëra pas tjetrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb