NGA KLODIANA HAXHIAJ*

Prokuroria e Durrësit ka kërkuar dënimin me burg të përjetshëm për 43-vjeçarin Indrit Shaqja dhe 30-vjeçarin Artur Kaçanolli nga Shijaku si dhe për Velson Elmazin nga Elbasani, pasi akuzohen për vrasjen makabre të dy grave të moshuara në qytetin bregdetar. Ngjarje kjo e ndodhur mesnatën e 1 shtatorit të vitit 2014. Pas hetimeve të kryera dhe dëshmive të dhëna përgjatë një sërë seancash gjyqësore, prokurorja e çështjes, Elena Pelushi ka dhënë konkluzionet përfundimtare.

Sipas përfaqësues së akuzës, tre personat në fjalë kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe janë autorë të ngjarjes ku gjetën vdekjen kunatat Elsa Vava dhe Gjenovefa Vava, përkatësisht 72 dhe 77 vjeç. Në bazë të provave të siguruara, organi i akuzës i ka kërkuar gjykatës së Durrësit shpalljen fajtor të Indrit Shaqjas dhe kushëririt të tij, Velson Elmazi për veprat penale: “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhjes me pasojë vdekjen”. Gjithashtu, prokuroria ka kërkuar shpalljen fajtor edhe nipin e viktimave, Artur Kaçanolli për veprat penale: “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhjes me pasojë vdekjen” si dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe e municionit”.

Në dosjen e prokurorisë së Durrësit bëhet me dije se tre autorët e një prej ngjarjeve më të rënda në këtë qytet kanë grabitur në shtëpinë dykatëshe ku jetonin dy kunatat e moshuara një qese me 20 monedha floriri, 2 milionë lekë të vjetra si dhe varëse floriri dhe orë. Të gjitha këto me vlerën e mbi 10 milionë lekëve të vjetra. Në lidhje me këtë ngjarje akuzohet dhe bashkëshortja e 42-vjeçarit, Valbona Shaqja. Prokuroria e Durrësit ka kërkuar shpalljen fajtore të 39-vjeçares për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe dënimin e saj me 3 vjet burg. Po nga hetimet e bëra (zbardhja e tabulateve telefonike dhe përgjimeve) ka rezultuar se Indrit Shaqja ka dërguar në banesën e tij florinjtë dhe paratë e vjedhura dy grave të moshuara.

VRASJA E KUNATAVE
“Më datë 02.09.2014 rreth orës 06:20 është konstatuar fakti i vdekjes në banesën e tyre të shtetaseve Gjenovefa Vava dhe Elsa Vava. Vdekja e tyre ishte shkaktuar nga dhuna fizike e ushtruar mbi to e kombinuar kjo me asfiksinë mekanike. Vdekja e tyre kishte ardhur si pasojë e veprimeve të kryera me qëllim vjedhjen e florinjve, parave dhe sendeve të tjera me vlerë të ndodhura në banesën e viktimave. Autorë të kësaj ngjarjeje janë evidentuar të pandehurit Indrit Shaqja, Velson Elmazi, Artur Kaçanolli, të cilët kanë bashkëpunuar secili në rolet e tyre për kryerjen e veprës penale. Florinjtë dhe paratë e vjedhura, pasi janë marrë nga të Indrit Shaqja e Velson Elmazi janë fshehur në shtëpinë e të pandehurit Shaqja, nga e pandehura tjetër Valbona Shaqja, e cila ka kryer veprime për t’i fshehur këto dhe më pas për dërgimin e tyre jashtë shtetit tek i pandehuri Indrit Shaqja”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Ndërkaq, në dosje zbardhet e plotë skema e krimit.

“Të dyja viktimat janë gjetur në dy dhoma të ndryshme të katit të dytë të banesës. Ato ishin me rroba gjumi dhe ishin të lidhura me qese ngjitëse skoç në gojë, në këmbë dhe në duar, edhe me çarçafë.

GRABITJA E FLORIRIT
Pasi kanë izoluar dy viktimat, Indrit Shaqja dhe Velson Elmazi kanë nisur të kontrollojnë në banesën e të moshuarave. Ata kanë gjetur në një kuti të bardhë ku ndodheshin dy qese brenda të cilave ndodheshin rreth 20 monedha flori. Këto monedha sipas përshkrimit të dhënë nga i pandehuri Elmazi ishin në madhësi si 100-lekëshi i ri dhe qesja ishte e tejdukshme. Këto qese i pandehuri Indrit Shaqja i ka marrë me vete duke i futur tek çanta që mbante me vete. Gjithashtu, në shtëpi, dy të pandehurit kanë gjetur edhe lekë rreth 200.000 lekë, varëse floriri e orë. Dhe pasi i kanë marrë, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Fakti i ekzistencës së monedhave të floririt është provuar si me dëshminë e shtetasit Vaso Vava, i cili ka shpjeguar se mund të kenë pasur 10 monedha floriri, dhe se kur ka lindur djali i tij, ato i kanë dhënë një monedhë floriri. Kjo monedhë floriri është marrë në cilësinë e provës materiale e shoqëruar edhe me tabelë fotografike dhe dërguar për ekspertim. Më datë 23.01.2015 është dhënë mendimi nga specialistja e Institutit të Arkeologjisë së Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë së bashku me fletën shoqëruese e përkthimin e kryer. Nga ekspertja është përcaktuar se monedha është si prerja monetare e Republikës Franceze e vitit 1897, me vlerën e përcaktuar prej 20 frangave dhe si një objekt i trashëgimisë kulturore ajo përmban vlera numizatike. Nga hetimi ka rezultuar se Valbona Shaqja ka qenë në dijeni të monedhave të floririt, parave dhe sendeve të tjera të vjedhura. Sipas prokurorisë, ajo i ka dërguar ato fillimisht tek shtëpia e nënës së bashkëshortit të saj dhe më pas ky i fundit i ka marrë në Spanjë ku dhe u kap e ekstradua një muaj e gjysmë pas ngjarjes në Durrës.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb