TIRANE- Kushërinjtë Eugen Bitraj dhe Dejvi Bitraj, fëmijë të dy vëllerzëve binjakë, dhe dy shokët e tyre, kanë dalë sot para Gjykatës së Tiranës, pasi akuzohen për vrasjen e 22-vjeçarit Marvi Mihali. Ngjarja ka ndodhur 3 ditë më parë pranë stadiumit “Dinamo” në kryeqytet, ku pas sherrit për një karikues celulari ata e kanë goditur me thikë në zemër 22-vjeçarin.

Ditën e sotme ata kanë dalë para trupit gjykues për t’u njohur me masën e sigurisë. Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me Burg” për të akuzuarit.

Ndërkohë që deri në këto momente vetëm Eugen Bitraj ka pranuar autorësinë e vrasjes.

Por diçka e pazakontë ka ndodhur pak momente para nisjes së seancës, në pjesën e pasme të Gjykatës.

5-6 vetë, moshatarë të të arrestuarve, u konfliktuan me operatorët e TV-vë dhe gazetarët pasi ata nuk donin të filmoheshin shokët e tyre.

Sipas dëshmive të dhëna pas arrestimit, 4 të prangosurit janë shprehur se nuk kanë dashur ta vrasin 22-vjeçarin. Sipas hetimeve, viktima dhe Dejvi Bitraj janë konfliktuar në telefon për shkak se celulari që Mihali kishte blerë ishte me probleme.

Bitraj pretendon se është ofenduar gjatë telefonatës. Ata kanë lënë të takohen për t’u sqaruar në vendin ku ndodhi vrasja, por sipas të arrestuarve, edhe aty Marvi Mihali i ka ofenduar. Mes tyre fillimisht ka nisur një përleshje fizike, ndërsa 24-vjeçari Eugen Bitraj e ka goditur me thikë duke e lene te vdekur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb