TIRANË – Gjykata e Tiranës dënon me burg të përjetshëm, Altin Shkretën dhe me 25 vite burg vëllain e tij Alban Shkreta, të akuzuar për vrasjen e 9-vjeçarit E.Llani, si dhe plagosjen e Muharrem Llanit.

Kështu Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Kurbin për shpalljen fajtor të vëllezërve Shkreta dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm shtetasin Altin Shkreta dhe 25 vjet burg shtetasin Alban Shkreta, të akuzuar për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” në bashkëpunim me rrezik për shumë persona dhe “armëmbajtje pa leje”. Hetimi dhe procesi gjyqësor është zhvilluar ndaj dy vëllezërve nën masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ngjarja për të cilën akuzohen nga prokuroria dy shtetasit ka ndodhur në mesditën e datës 05.06.2012, në Fushë-Mamurras, në të cilën të pandehurit kanë qëlluar ndaj një automjeti ku gjendeshin disa anëtarë të familjes Llani. Nga goditjet me armë zjarri, ka mbetur i vdekur shtetasi i mitur E.Llani, si edhe i plagosur rëndë shtetasi Muharrem Llani.

Gjatë gjykimit, i cili u zhvillua në gjykatën e Tiranës, Prokuroria ka rindërtuar ngjarjen, në bazë të të cilës krimi ka ndodhur si pasojë e një konflikti verbal ndodhur një ditë më parë (në dt.04.06.2014) ndërmjet shtetasve Jetmir dhe Muharrem Llani me shtetasit Altin dhe Alban Shkreta. Në vijim të këtij konflikti të datës 04.06.2014, vëllezërit Shkreta në mesditën e datës 05.06.2014 kanë tentuar të vrasin me armë zjarri një prej vëllezërve Llani, Muharremin, i cili gjendej në makinë me disa familjarë të tij, përfshirë edhe të miturin E. Llani, nip i tij (djali i shtetasit Jetmir Llani).

Pas goditjes me armë zjarri, në vendngjarje kanë mbetur të plagosur shtetasit Muharrem Llani dhe i mituri E. Llani, i cili ka gjetur vdekjen më pas në spital.

Në vijim të këtij krimi, në nëntor 2012, shtetasit Jetmir Llani dhe Muharrem Llani, në shenjë hakmarrje, kanë vrarë shtetasin Arjan Shkreta dhe kanë plagosur rëndë shtetasin Leli Shkreta.

Ndaj dy të pandehurve Llani, në gjykatën e Tiranës pak javë më parë Prokuroria kërkoi dënimin me 25 vjet burgim për këtë ngjarje. Aktualisht, procesi kundër shtetasve Jetmir dhe Muharrem Llani është në fazën e dhënies së vendimit nga gjykata.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb