TIRANE – Pas debatit të zhvilluar ditën e sotme në Komisionin e Medias, ku u diskutua dhuna ndaj kryeredaktorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi, ka reaguar kreu i grupit parlamentar Edmond Spaho.

Në fjalën e tij ai ka bërë krahasimin e Ramës me Bashës në protesta. Sipas Spahos, kur Rama ishte në opozitë e protestonte më 21 nxiste dhunën me celular e me shenja, kurse Basha shkoi dhe i terhoqi njerëzit duke shmangur dhunë.

“Unë desha të shpreh indinjatën dhe të hedh poshtë me përbuzje fjalorin që u përdor ndaj kolegëve të opozitës duke i quajtur “vrasës”, – deklaroi Spaho. –  Vrasësit i gjeni në tjetër drejtim, nuk janë tek opozita, as tani, as kur ka qënë në pushtet. Vrasësit i keni pasur midis jush, në parlamentin tuaj 2013-2017 madje u ndërpre çdo lloj negociate nga Komuniteti Europian për procesin e integrimit të vendit tonë sepse kishim një mazhorancë, një qeverisje të mbushur me vrasës, me kriminelë. Kjo nuk është retorikë politike, por fakt i vërtetë.

Një takëm prej këtyre e kanë lënë tashmë parlamentin, por nuk është se kanë mbaruar, ka dhe të tjerë në parlamentin aktual. Ndaj këto fjalë merrini mbrapsht!S’janë për ne, janë për ju!

Paralela që po përpiqeni të bëni me 21 Janarin është qesharake. I vratë njëherë ata, po i vrisni për herë të dytë! Keni pasur 5 vjet kohë në dispozicion për të zbardhur të vërtetën. Por e vërteta është një dhe e thjeshtë: Ishte puç kushtetues! Keni dashur të merrni pushtetin me forcë, me dhunë, keni sulmuar Kryeministrinë me të gjitha mjetet e mundshme! Ky është dallimi mes nes dhe jush! Ne nuk e marrim pushtetin me dhunë! Protestat tona në dallim nga tuajat janë brenda limiteve politike. Por natyrisht ka një moment kur policia provokon dhe njerëzit reagojnë si në këtë rastin e Partia Demokratike  u tregua forcë e përgjegjshme.

Deputetët e saj, e keni në të gjithë regjistrimet, kanë dalë në krah të Policisë dhe kanë qetësuar njerëzit.

Ky është dallimi i madh midis nesh dhe jush dhe më pas, dallimi midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës: Ndërsa Edi Rama i nxiste me telefon nga kullat e tua Fidel, Lulzim Basha erdhi i tërhoqi njerëzit dhe i çoi tek PD-ja,” është shprehur Spaho.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: