TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot vendimin për vrasësin me pagesë Julian Sinanaj dhe gjashtë të akuzuarit e tjerë, anëtarë të së ashtuquajturës banda e tritolit.

Mbi 7 të pandehurit rëndojnë akuzat, si “grup i strukturuar kriminal”, “akte terroriste”, “akte terroriste të mbetur në tentativë”, “vrasje me paramendim”, “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”.

Krimet e Rënda kanë dënuar me 35 vjet burg Julian Sinanajn, nga të cilët 30 vjet do t’i kryejnë në një burg të sigurisë së lartë dhe 5 vjet në një burg të zakonshëm; burgim të përjetshëm për Anton Mëhillajn; 10 vjet burg për kusheririn e tij Genis Mëhillaj; 8 vjet burg për Ndriçim Gjokonaj; 19 vjet burg për Marjon Mitron; 8 vjet burg për Albin Mexhajn dhe 5 burg për biznesmenin Ilir Karçini.

Julian Sinanaj, pak ditë pas arrestimit në janar 2014, pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë dhe në këmbim të statusit të rrëfente emrat e bashkëpunëtorëve të tij. Sipas prokurorisë, duke qenë se Sinanaj ka rrëfyer dhe emrat e personave të tjerë, me të cilët ka bashkëpunuar, ai ka përfituar ulje dënimi, pasi meritonte burg të përjetshëm. Në këto kushte Gjykata vendosi dënimin me 35 vjet burg për vrasësin me pagesë.

Ndërkohë Gjykata ka lënë në burg përjetë sekserin Anton Mëhillaj dhe 10 vjet burg për kushëririn e tij Genis Mëhillaj.

Julian Sinanaj,  i cili tronditi mbarë opinionin publik me rrëfimin shokues dhe bindi prokurorinë ti jepte statusin e të penduarit, ka pranuar vrasjen e peshkatarit, Sokol Veizaj, krim për të cilin thotë se u pagua nga dy të pandehurit e tjerë Andon e Genis Mëhillaj.

Prokuroria pretendon se Julian Sinanaj në krye të herës ka pranuar dhe rrëfyer me vullnetin e tij, se e ka kryer vrasjen e biznesmenit Çela për shumën e 35 mijë eurove, me porosinë e kushërinjve Mëhillaj. Në dëshminë dhënë para policisë, Sinanaj është shprehur gjithashtu se Marjon Mitro, e ka paguar 20 mijë euro që të prodhonte një minë me celular, që më pas u zbulua në makinën e ish-prefektit.

Sinanaj, u cilësua si vrasës me pagesë, akuzohet se kishte siguruar kushtet për të kryer vrasjen e biznesmenit Pirro Bare. Për të realizuar këtë krim, Sinanaj u tha hetuesve se ishte paguar 150 mijë euro nga biznesmeni tjetër, Ilir Karçini. Julian Sinanaj u arrestua dy vite më parë, pas pendesës së Ndriçim Gjokonës, i pandehur në të njëjtin proces me të dhe njëherazi bashkëpunëtor i drejtësisë. Për shkak të përplasjeve mes tyre dhe nga frika se mos Sinanaj e vriste, Gjokonaj trokiti në dyert e policisë dhe pas shumë mundimesh e ecejakesh, ai rrëfeu për disa nga krimet e Sinanajt.

Mbi bazën e dëshmisë së tij u vu në pranga i dyshuari Sinanaj, i cili pak ditë më vonë vendosi të rrëfente krimet, duke lehtësuar jo pak punën e prokurorëve, për të vërtetuar një numër të madh ngjarjesh kriminale që kishin tronditur vendin. Ai pranoi në këmbim të statusit të të penduarit se kishte kryer të paktën 15 krime të rënda e po të mos ishte arrestuar do të kishte vijuar dhe më tej.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: