TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi sot masën e sigurisë ‘arrest me burg’ ndaj shtetasve Aleksandër Gora dhe Kristi Pine, të dyshuar si vrasës me pagesë. Nga hetimet e deritanishme, prokuroria ka prova që dëshmojnë se Kristi Pine ekzekutoi në bashkëpunim me Alfred Qefalian, shkodranin Ibrahim Mani, krim i ndodhur në qershor 2014. Ai dyshohet gjithashtu se në bashkëpunim me A.Gorën., kanë tentuar të vrasin E.Ç., në nëntor të 2014- ës. Lista e krimeve që dyshohet se ka kryer grupi kriminal është e gjatë. Vrasja e biznesmenit durrsak Leonard Murati është kryer me pagesë. Sipas hetimeve, urdhëruesit paguan 25 mijë euro për ekzekutimin e tij, e duket se pas arrestimit të dy të dyshuarve si vrasës me pagesë, po hidhet dritë mbi krimin e rëndë. Që në krye të herës u tha se në vrasjen e Muratit morën pjesë të paktën dy persona. Ndaj, njëri prej të arrestuarve i ditëve të fundit, dyshohet të jetë ekzekutori direkt i Muratit. Hetuesit thonë se ai ka marrë shumën prej 25 mijë eurosh dhe goditja ka ardhur pas një urdhri të ardhur nga një burg i sigurisë së lartë.

RREFEHET I PENDUARI

Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton për një grup të strukturuar kriminal që kryente vrasje me pagesë në Tiranë, Durrës e Shkodër, dhe në pranga ka vënë dy prej të dyshuarve, Kristi Pine dhe Alfred Qefalia., ka në duar dëshminë e një të penduari. Aleksander Gora, 41 vjeç, i arrestuar pak ditë më parë pasi kërkohej nga drejtësia italiane për vrasje, ka pranuar ofertën e prokurorisë, që të dëshmojë për aktivitetin kriminal të grupit të strukturuar ku ai bënte pjesë. Burime të besuara për “GSH”, shpjeguan se Gora ka rrëfyer në krye të herës, emrat e vrasësve të biznesmenit durrsak, Leonard Murati. Sipas të njëjtave burime, ai ka shpjeguar, se fillimisht i është ofruar vetë atij një shumë e konsiderueshme parash për të ekzekutuar Muratin, por me sa duket “pazari” nuk ka shkuar si duhet, e për këtë arsye, ai është tërhequr duke mos e kryer krimin e rëndë. Pas këtij refuzimi, nuk ka kaluar shumë kohë dhe Murati u ekzekutua në derën e lokalit të tij në zemër të Durrësit. Rrëfimi i të penduarit të drejtësisë, duket se sjell të dhëna mjaft thelbësore për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me ngjarjet e fundit kriminale që tronditën Tiranën, siç ishte dhe shpërthimi i një mine të telekomanduar në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb