TIRANE

Të tjera detaje zbulohen mbi krimin në familje që ndodhi mëngjesin e sotëm në Allias të Tiranës, teksa gardisti 44-vjeçar Alket Arapaj vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij 36-vjeçare Ervilma Seferi.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se vrasja ka ndodhur në dhomën e ndenjes, në katin e katërt të një pallati ku banonte çifti, ndërsa fqinjët pasi kanë dëgjuar krisma kanë njoftuar policinë.

Çifti kishte një vajzë të vogël të cilën e dërgonte bashkëshortja e vrarë cdo ditë në çerdhe, ndërsa ditët e fundit ajo nuk është parë nga fqinjët të dërgojë vajzën në çerdhe dhe mendohet se kishte filluar punë.

Dyshohet se vrasja ka ndodhur për një konflikt banal, pasi bashkëshorti nuk dëshironte që gruaja të fillonte punë, por të kujdesej për vajzën 3-vjeçe.

Në banesë ka qenë edhe vajza e mitur, por nuk dihet nëse ajo ka parë skenën e vrasjes. Vajza është marrë nga prindërit e viktimës në një fshat të Tiranës pas ngjarjes.

Fqinjët shprehen se familja nuk kishte probleme dhe ishin një model në lagje. Ata ishin predikues të rregullt të fesë islame dhe gruaja ishte e mbuluar me shami. Gardisti kishte 15 vite që shërbente në Gardën e Republikës.

Alket Arapaj ishte oficer ne gradë prej 20 vitesh. Me parë ai ka qenë shoqërues personalitetesh dhe ka punuar në presidence. Ai prej disa vitesh ishte pozicionuar tek njësia 3 tek pallati i Brigadave. Kjo ishte martesa e dytë e gardistit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb