Gazetari Igli Çelmeta në rubrikën “Opinion” në News24, duke folur për vrasjen e nxënësit 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij, tha se autori i dyshuar i krimit nuk është marrë ende në pyetje. Çelmeta tha se ai ndodhet në një spital privat ku po merr një trajtim mjekësor, pasi ka dëmtuar ligamentet e dorës.
“I është komunikuar akuza e vrasjes me dashje të të miturve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Prindërit e tij janë marrë në pyetje.
Autori i dyshuar nuk është marrë në pyetje pasi ndodhet në kushtet e tronditjes së thellë psikologjike, pritet të dalë nga spitali, dhe në prani të psikologut do të merret në pyetje.
Nga dëshmia e tij do të zbardhet nëse thikën e ka pasur me vete apo ia kanë sjellë shokët kur i ka marrë në telefon. Prindërit nuk kanë pasur dijeni për konfliktin që ka ndodhur prej 1 jave”, tha Çelmeta.
Ai gjithashtu u shpreh se në Librazhd ka ndodhur një përplasje mes dy nxënësve 13-14 vjeçarë, gjë që tregon situatën ku jemi. “E kuptoni se në çfarë situate jemi kur në Librazhd në momentin që flasin janë konfliktuar dy të mitur 13-14 vjeçarë”, tha Çelmeta.