Presidenti i Republikës Bajram Begaj, reagoi lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur sot në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.

Presidenti Begaj i shprehu ngushëllime familjes së 14-vjeçarit që mbeti viktimë e konfliktit me bashkëmoshatarët, ndërsa uroi shërimin e nxënësit tjetër që mbeti i plagosur.

Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit bëri apel për reflektim të shoqërisë shqiptare në edukimin e brezit të ri.

“Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen”, shkroi ndër të tjera Begaj duke iu drejtuar prindërve, mësuesve dhe të gjithë komunitetit.

Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës:

“Ndarja nga jeta e 14-vjeçarit është për të gjithë ne një dhembje e madhe.
Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij!
Gjithashtu, uroj nga zemra shërim të shpejtë e të plotë për nxënësin e plagosur!
Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen.
Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë.
Fëmijët dhe të rinjtë tanë meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb