Nereida Llaha, psikologe në shkollën 9- vjeçare Abdulla Keta, në rubrikën “Opinion” në News24 e pyetur nëse ka referuar ndonjë rast te krimi kibernetik për ndonjë shqetësim apo kërcënim që mund të kenë pasur nxënësit, tha se në disa raste ka pasur denoncime të tilla.
Llaha tha se duhet bashkëpunim mes disa aktorëve lidhur me situatat në shkolla, ndërsa shtoi se edhe sikur i gjithë zinxhiri të funksionojë 100%, nuk mund të themi se mund të kemi sukses të plotë.
“Jemi përballë papjekurive të nxënësve. Ne dimë vetëm majën e ajsbergut për mënyrën se si veprojnë apo ndërveprojnë fëmijët tanë në rrjetet sociale. Kjo nisma për mbylljen e disa platformave në rrjetet sociale duhej të ishte bërë me kohë, përsa kohë nuk arrijmë të vendosim filtra”, tha Llaha.
Ajo tha se kemi raste kur prindërit besdisen po i mori në telefon psikologia, mësuesja apo oficeri i i sigurisë.
“Shikojeni si një zinxhir nga familja, te shkolla, te shërbimi psiko-social, nëse një nga hallkat nuk funksionon atëherë i gjithë zinxhiri nuk funksionon.
Kemi insistimin e prindërve që thonë: fëmija ime duhet të mbajë telefonin në shkollë pasi nuk kam si të lidhem me fëmijën tim. Kjo gjë mua nuk më intereson fare, pasi telefoni në shkolla nuk lejohet”, tha Llaha.
Sipas saj, duhet ndërgjegjësim i të gjithëve nga prindërit në rradhë të parë dhe më pas nga i gjithë zinxhiri. “Nëse ne kemi bërë një përpjekje, atëherë le ta shumëfishojmë këtë përpjekje”, tha ajo.