Aktivisti Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare i ftuar në emisionin Open në News 24 ka komentuar ngjarjen tragjike në Tiranë, ku pas një konflikti ndërroi jetë një 14-vjeçar.
Qiraxhi tha se ngjarja duhet që të hetohet deri në fund. Ai tha se kryeministri Rama reagoi për ngjarjen, duke shtuar se ai adresoi problemin e rrjeteve sociale, por jo të ngjarjes konkrete. Ai tha se protestuesit kanë ngritur 8 pika kryesore, që duhet të plotësohen si standard nga institucionet arsimore. Sipas tij, nëse nuk plotësohen këto pika, jeta e fëmijëve tanë është në rrezik.
Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare: Ngjarja është akoma e pazbardhur, duhet hetuar akoma. Fëmijët janë të pasigurt në shkollat e vendit. Ne jemi në raundin e dytë të protestës, që iu bashkuan edhe të afërmit e të ndjerit. Ne kemi përpiluar tetë kërkesa, që lidhen me sigurinë e fëmijës në shkolla. Janë artikuluar edhe kritika ndaj Ministrisë së Arsimit. Nuk ka reagim nga ana e institucioneve.
Ka reagim nga kryeministri, që nuk adreson problemin, por adreson çështjen e rrjeteve sociale. Kryeministri tha se çështja është përdorur politikisht. Ne jemi kujdesur që protesta mos të jetë politike. Ne kemi paralajmëruar bojkot të mësimit të mërkurën, nëse nuk përmbushen kërkesat tona. Ka pasur kërkesë nga protestuesit që të bojkotohet mësimi. Nëse nuk plotësohen kërkesat tona, rreziku mbetet real për jetën e fëmijëve tanë. 54 përqind e shkollave janë pa oficerë sigurie, s’ka mjaftueshëm psikologë. Këto gjëra duhen rregulluar.
(Balkanweb)