Artisti Robert Aliaj në emisionin “Open” në News24 tha se prindërimi duhet të ndryshojë modelin, duhet një lloj tjetër komunikimi.

Referuar eksperiencës së tij si baba në raport me fëmijët, Aliaj tha se ka besuar gjithmonë që dashuria nuk vret. “Fëmija nuk mëson nga çfarë themi, por nga çfarë bëjmë ne si prindër. Nuk ka asnjë lloj impakti ajo përpjekja për të bindur fëmijën të bëjë atë që i thua”, tha Aliaj.

Ai tha se ka besuar se shkollat janë institucione dhune, pasi ka shumë dhunë nëpër shkolla.  Aliaj tha se ne duhet të përgatisim një brez që lexon, jo një brez bastardësh siç po rriten tani. Në këtë kuadër, ai tha se kjo mund të realizohet përmes panaireve të librave, ku fëmijëve iu jepen libra falas.

Aliaj u shpreh se nëse sot thuhet për familjen, unë mendoj se kemi problemin me ambientin. “Ky ambient gjeneron dhunë, ka ngarkesa emocionale shumë agresive, kjo i bën fëmijët që të kenë reflekse ujku sepse mendojnë se kështu mund të mbijetojnë”, tha Aliaj.

Ai tha se familja nuk mund të bëjë dot më gjë, pasi është shoqëria që modelon familjen. “Keni dhunën në rrjetet sociale, kjo dhunë modelon atë që ndodh më pas”, tha Aliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb