Një ngjarje e rëndë ndodhi rreth orës 13:00 të ditës së hënë, ku një nxënës 14-vjeçar i shkollës Fan Noli humbi jetën si pasojë e një sulmi me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, ndërsa mbeti i plagosur edhe një shok i viktimës.

Autori i sulmit është po nxënës i shkollës “Fan Noli” në qendër të Tiranës, ndërsa krimi ka ndodhur rreth 150 metra larg godinës arsimore.
Fillimisht nxënësit janë konfliktuar në ambientet e shkollës, ndërsa oficeri i sigurisë ka ndërhyrë duke shuar konfliktin. Dhe ndoshta me idenë se gjithçka është sqaruar, nuk është raportuar si konflikt.

Pak orë më pas, sherri është rindezur, ku autori i dyshuar ka njoftuar dy shokë të tjerë, nxënës të një shkolle në Sauk, të cilëve duket se i ka kërkuar ndihmë.

Viktima dhe i plagosuri, 14 vjeçarë, janë sulmuar në një nga rrugicat pranë shkollës, ndërsa janë qëlluar me thikë. Viktima ka marrë 6 goditje, duke humbur jetën në spital, ndërsa i plagosuri dy goditje, ndërsa ndodhet i shtruar te Trauma.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur 3 ditë pas një ore ndërgjegjësimi që është mbajtur pikërisht për nxënësit e klasës së 8-të në shkollën Fan Noli mbi temën “Të Drejtat dhe Mbrojtja e Fëmijëve”.

Capture
Capture

“Gjatë këtij takimi mund të jenë diskutuar tema si:

Të drejtat themelore të fëmijëve, bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.

Mënyrat se si fëmijët mund të kërkojnë ndihmë kur ndihen të kërcënuar ose të keqtrajtuar.

Rëndësia e respektimit të privatësisë dhe integritetit personal.

Roli i shkollës, mësuesve dhe oficerit të sigurisë në krijimin e një mjedisi të sigurt.

Kjo nismë ndihmon nxënësit të kuptojnë më mirë të drejtat e tyre dhe i përgatit për të qenë qytetarë të ndërgjegjshëm që dinë si të mbrohen në situata të ndryshme”, thuhet në një njoftim që është publikuar në faqen që shkolla Fan Noli ka në rrjetet sociale.

Dhe referuar asaj që është bërë publike, një nga pikat është krijimi i një mjedisi të sigurtë. Konflikti ka nisur brenda shkollës, atje ku mund të parandalohej, ngjarja tragjike që ndodhi pak orë më pas.

Aq më tepër kur në konfliktin që pati viktima, i plagosuri dhe autori i dyshuar, ka ndërhyrë edhe oficeri i sigurisë. Burimi i sherrit që precipitoi me vrasjen e 14-vjeçarit mund ta ketë zanafillën në rrjetet sociale, edhe pse pritet që hetimet të përcaktojnë shkakun e konfliktit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb