Gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Open” në News24 duke folur për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot ku një nxënës 14-vjeçar i shkollës Fan Noli humbi jetën pas një sulmi me thikë 150 metra larg objektit mësimor.

Lala u shpreh se mes viktimës dhe autorit të dyshuar të ngjarjes ka pasur një debat që të premten ku ata janë shtyrë, më pas ka pasur një debat mes tyre sot brenda shkollës dhe disa orë më pas konflikti agravoi duke shkaktuar një viktimë dhe një të plagosur.

“Një oficer policie që është marrë me hetimin e ngjarjes sot më tregoi se nxënësit kanë debatuar të premten, janë shtyrë.  Kanë debatuar me njëri-tjetrin sot, i ka thirrur oficeri i sigurisë dhe kanë thënë jemi sqaruar.  Nuk duhej të ishin lejuar të dilnin, duhej të thirreshin prindërit, në mënyrë që ky konflikt të mos degradonte”, tha Lala.

Ndërsa u shpreh se kemi një ngjarje shumë të rëndë, gazetarja tha se duhet të reflektojnë institucionet.

“Ka pasur një paketë për sigurinë në shkolla, e cila duket se u harrua rrugës. Ishte një paketë që arrestoheshin ata që shpërndanin drogë në shkolla, që ecnin me shpejtësi pranë shkollave, që shisnin pije alkoolike për fëmijët 13-14 vjeç.

Ne qasemi përditë me situata të tilla. Ky është një rast fatkeq, flagrant dhe shumë i rëndë. Por çdo ditë kemi raste të bullizmave, gjobvënieve, kërcënimeve, shantazheve me foto. Ne duhet të jemi vigjilent, nëse do të ishte ndërhyrë që të premten, nëse do të ishte ndërhyrë sot, nuk do të kishim agravim të situatës.

Kemi një viktimë, kemi një të plagosur, kemi edhe një autor që është fëmijë. Histori që nisin në rrjetet sociale, duken si histori banale në dukje, por që u mbyll në mënyrë tragjike. Historitë te të miturit nisin nga më banalet, pse bërë folloë në instagram apo tiktok, pse e pe ti atë dhe s’duhet ta shohësh”, tha Lala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb