Ngjarjet e rënda dhe vrasjet e te miturve kanë tronditur vendin. Ato kanë qenë në kufijtë e makabritetit. E tillë është vrasja e 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj, i cili rezultoi i zhdukur prej vitesh. Kjo ngjarje e vrasjes së tij ndodhi në maj të vitit 2015 dhe dyshohet se i mituri u vra për përfitim pasuror, konkretisht vjedhjen e disa sendeve me vlerë, si orë dore e markës ‘Rolex’ dhe varëse prej floriri, që i mituri i ka patur me vete ditën e ngjarjes kur është zhdukur.
Gjithçka nisi më 19 maj 2015 kur në policinë e Kurbinit xhaxhai bëri denoncimin se nipi i tij vetëm 16 vjeç nga fshatin Ferrë Trashë i Kurbin, ishte zhdukur në rrethana misterioze dhe pa lënë asnjë gjurmë.
Ne muajin tetor te vitit 2022, si rezultat i një hetimi disavjeçar u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore, i ngjarjes së ndodhur në vitin 2015, në Kurbin, ku u zhduk në rrethana misterioze shtetasi i mitur Mariglen Gjonaj. 7 vite më pas më 10 tetor 2022, policia arrestoi Krisjtan Cenaj si autor të kësaj ngjarjeje. Cenaj u dënua me burgim të përjetshëm, pasi provat arritën të zbulojnë përfshirjen e Cenajt në krimin makabër. Gjithashtu, Prokuroria e Lezhës kishte kërkuar edhe “aplikimin e periudhës se sigurisë” që nënkupton se “edhe pasi të bënte 35 vite burg, Kristjan Cenajt të mos i jepej mundësia për lirim për kohë me kusht”, por kjo masë nuk është pranuar nga gjykata.
Avokati i familjarëve te viktimës kërkon zgjerim të hetimeve, pasi sipas tij në këtë krim janë të përfshirë dhe persona të tjerë. Ai pretendon se autori ka bashkëpunuar me persona të tjerë që nuk janë hetuar dhe sipas tij dosja penale është e cunguar dhe duhet t’i shkohet deri në fund kësaj çështjeje. Ditën e sotme thyen heshtjen për herë të parë pas dënimit me burgim të përjetshëm të autorit, nëna e të ndjerit Mariglen Gjonaj.
Nëna e viktimës Mariglen Gjonajt, Liljana Gjonaj tha në emisionin Me zemër të Hapur në News 24 të moderatores Evis Ahmeti se i ka rritur dy djemtë e saj e vetme, pasi burrin ia kanë vrarë për hasmëri, kur fëmijët i kishte të vegjël. Sipas saj, edhe pse bashkëshortin ia kanë vrarë në sy të fëmijëve, sërish nuk ka ushqyer djemtë e saj me ndjenjën e hakmarrjes. Nëna tha se ishte e shqetësuar që Marigleni shoqërohej me Kristjan Cenajn, por nuk mendonte se gjërat do të shkonin deri në ekstremitete të tilla.
Nëna Liljana Gjonaj: Marigleni dha shpirt në mënyrën më makabre, shpresoj të zbardhet çdo gjë që ka ndodhur me djalin tim. Babai i autorit vazhdon të mbrojë djalin e tij. Marigleni ishte një fëmijë i qetë dhe i edukuar. Çdo gjë shkoi mirë deri në klasë të nëntë dhe kisha menduar të shkonte në një shkollë që kishte të bënte me sport. Unë isha nënë e babë për të. Kishte ëndërr të bëhej boksier. Bashkëshorti më është vrarë në sy të djemve. Mërzitej dhe unë iu thosha djemve që kështu është jeta dhe është punë e Zotit. Unë nuk e kam ushqyer me urrejtje e hakmarrje. Ne jemi larguar nga fshati për të mos pasur hasmëri. Atë ditë doli si normalisht dhe kishte varëse dhe u bëra merak. Më tha se varësen ia kishte marrë një shoku. E mori varësen si stoli për të shkuar në mbrëmjen e Maturës. Autori Kristjan Cenaj njihej si person problematik. Por, nuk kam menduar se gjërat do shkonin deri aty ku shkuan.
(BalkanWeb)